TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kujtim Cakrani, avokati i Kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Gjykatës së Posaçme që e detyron klientin e tij të qëndrojë në “kafazin e xhamtë” gjatë zhvillimit të procesit gjyqësor. Duke folur për mediat, Cakrani e cilësoi këtë vendim si të turpshëm dhe tha se ai dëmton imazhin e drejtësisë shqiptare. Avokati shtoi se, sipas tij, krahasimi i rastit të Metës me këto dy raste është i papranueshëm dhe bie ndesh me standardet e drejtësisë.
GJKKO rrëzoi gjatë seancës kërkesën e Ilir Metës për të dalë nga kafazi i xhamit, ndërsa nuk pranoi as kërkesën për transmetimin live të procesit. Gjykata miratoi vetëm kërkesën për aksesimin e provave digjitale, ndërsa shqyrtimi i çështjes do të vijojë në seancën e ardhshme të caktuar më 18 qershor.
Pjesë nga deklarata:
Vunë në masë sigurie arrest me burg, por pas dy muajsh ajo kontratë doli e ligjshme dhe zoti Meta po vuan paraburgimin për shkak të asaj kontrate lobimi. Më pas, në muajin tetor, kur hetimet kishin përfunduar dhe çështja kishte kaluar për gjykim, pra ishte bërë kërkesa për gjykim, na vjen nga Shtetet e Bashkuara një kontratë tjetër, pra një lobim tjetër, për të cilin ne jemi të paqartë dhe nuk dimë asgjë.
Dimë që kemi një kontratë, pra Partia Lëvizja Socialiste për Integrim ka një kontratë me DCI, që është një kompani amerikane. Po, janë bërë edhe pagesa të ligjshme, por këtu kontrata është ndërprerë dhe më pas rezulton, sipas prokurorisë, që janë bërë disa pagesa të tjera për shkak se zoti Meta ka udhëtuar në Shtetet e Bashkuara kur ishte kryetar Kuvendi, ose nga anëtarë të tjerë, siç është zoti Panariti.
Por, në fakt, rezulton që udhëtimet e zotit Meta kanë qenë udhëtime të përgatitura ose të paracaktuara nga Kuvendi i Shqipërisë, nga autoritetet shqiptare dhe nga ambasada jonë në Shtetet e Bashkuara. Kështu që jemi në këtë sqarim që duhet ta bëjë organi i procedurës, sepse ju e dini shumë mirë që në këtë republikë hetimet i bën prokuroria dhe nuk i bëjmë ne, avokatët. Ne thjesht duhet të nxjerrim atë gurin që hedh një i papërgjegjshëm në lumë dhe jemi përpara këtij fakti.
Tani problemi qëndron te fakti se, nëse zoti Rama shkon në një takim jashtë Shqipërisë, ai prezantohet si kryeministër dhe si kryetar i Partisë Socialiste. Ku është problemi këtu? Nuk ka asnjë lloj problemi. Ne këtu po diskutojmë nëse janë bërë pagesa ose nuk janë bërë pagesa. Ne po diskutojmë nëse ka njoftim zoti Meta apo partia për këto pagesa, ose nuk ka. A ka një faturë që t'i ketë ardhur në rrugë zyrtare, në një email, në një formë njoftimi partisë, dhe t'i thuhet: “Shiko, zotëri, ju keni për të bërë një pagesë mujore kaq e aq”? Nuk ka. Nuk rezulton asnjë njoftim.
Dhe, përderisa nuk rezulton asnjë pagesë, dhe këta mendojnë që Adrian Shatku është personi që i ka bërë këto pagesa, atëherë duhej ta kishin marrë zotin Shatku dhe ta kishin pyetur. Sepse duhet të kuptoni diçka: ju e keni lexuar akuzën, besoj, dhe zoti Shatku, si personi që akuzohet se ka paguar 270 mijë dollarë në funksion të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, nuk është pyetur. Pra, nuk i është dërguar asnjë letërporosi dhe nuk janë kryer veprime konkrete që të tentohet të pyetet nga organi procedues, pra nga SPAK-u.
Në kuptim të kësaj, mendojmë se të gjitha veprimet e SPAK-ut kanë qenë shumë të dyshimta. Mos harroni diçka: SPAK-u i ka kërkuar, nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës që dosja ose informacionet nga DCI-ja të mos i jepen Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim dhe as neve, avokatëve. Si do të mbrohemi ne pa marrë informacion për atë që ka ndodhur me partinë? Ju e patë që edhe prokurori, kur u pyet nga gjykata, nuk kishte asnjë përgjigje për sa i përket kësaj forme akuze.
Kjo është një nga ato vendime që e turpërojnë gjykatën shqiptare. Ju e patë dhe e kuptuat që vendimi nuk ishte ai që pritej, sepse gjykata e rrëzoi kërkesën tonë duke u bazuar përsëri, për turpin e saj, te dy persona të tjerë që nuk kanë të bëjnë me shtetin e së drejtës. Ata nuk janë shtetas të Bashkimit Evropian, por një ukrainas dhe një rus.
Shtetasi ukrainas, vërtet, ishte mbyllur në kafazin e qelqit ose të hekurit, por akuzohej për një akt terrorist me 48 viktima. Ndërsa shtetasi rus akuzohej për cenim të rendit kushtetues në Rusi. Të dy këta persona ishin cilësuar si persona që duhej të mbylleshin në kafaz.
Por, nëse kjo gjykatë e krahason zotin Meta, presidentin e Republikës së Shqipërisë, kryetarin e Kuvendit dhe ish-kryeministrin, me dy terroristë rusë, e kuptoni problemin që ka gjykata. Unë e dëgjova dhe më vjen shumë turp që gjykata shqiptare, me formim amerikan, i referohet Rusisë për vendimet e saj. Kjo është shumë e turpshme dhe e papranueshme.
Dhe ju duhet patjetër t'i bëni publikë këta personazhe. Jo për të më dhënë të drejtë mua apo për të anatemuara gjykatën, por për t'i treguar publikut shqiptar se qytetarët e kësaj republike duhet të gjykohen me dinjitet, të jenë pranë avokatit të tyre, përveç rasteve kur përbëjnë rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe mund të cenojnë sigurinë në sallën e gjyqit.
Ju duhet të kuptoni diçka që qytetarët nuk e dinë. Marrëveshja që ka pasur Partia Lëvizja Socialiste për Integrim me DCI-në ka qenë një marrëveshje që, në pikat e saj, i referohej reformës në drejtësi. Pra, nëse janë takuar zyrtarë të lartë amerikanë të Departamentit të Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara dhe senatorë, ka pasur vetëm një qëllim: reformën në drejtësi.
Dhe ju e dini shumë mirë që zoti Meta ka qenë një nga promotorët dhe personi kyç që bashkoi Lulzim Bashën dhe Edi Ramën, i cili ka qenë kundër reformës në drejtësi. Zoti Meta, në orët e vona të natës, bëri të mundur që reforma të kalonte me 140 vota.
Prandaj të mos mburret sot zoti Rama duke thënë se e bëri ai reformën, por t'u përgjigjet pretendimeve që ka ngritur ish-presidenti Meta. Kështu që nuk kam çfarë t'ju them tjetër. Ju do të jeni këtu në seancë, do ta kuptoni dhe do të qeshni me akuzat boshe, të rreme, pa bazë dhe pa thelb të organit të procedurës.
Më 18, kur të zhvillohet seanca e ardhshme, ne do të jemi këtu dhe do të shohim çfarë do të kërkojë organi i procedurës, çfarë provash dhe dëshmitarësh do të paraqesë. Ju e dini që në kërkesën për gjykim ata na kanë vënë në dispozicion listën e personave që janë pyetur, dhe bëhet fjalë për rreth 110 persona që, sipas procedurës, duhet të vijnë në seancat e themelit dhe të pyeten.
Nëse ata nuk pyeten, do ta kërkojmë ne. Do të filtrojmë çdo kërkesë të prokurorisë dhe, nëse ka mangësi, padyshim që do të kërkojmë të thirren nga ana jonë. Por mos harroni: dëshmitari kyç i kësaj çështjeje është Adrian Shatku, i cili përmendet 327 herë në akuzë, por nuk është thirrur.
Mos harrojmë se kemi për të bërë edhe aktin e vlerësimit financiar, i cili është i mangët. Kemi edhe shumë dëshmitarë të tjerë. Po, patjetër edhe zoti Rama. Ju e dëgjuat vetë: na dilte te Unifi, na dilte te Vodafone, na dilte te ligji për minierat. Kështu që, nëse Edi Rama nuk vjen këtu, ky proces nuk është i plotë.
Po, Shatku do të pyetet. Nëse ka kontrata, kjo nuk ka lidhje me zonjën Kryemadhi. Ai do të pyetet nëse ka kontratë me DCI-në, nëse ka marrëveshje me DCI-në dhe nëse ka lidhje të tjera. Nëse ka lidhje me zonjën Kryemadhi, do të pyetet edhe për lidhjet që ka me zotin Meta, se si i ka paguar paratë, pse i ka paguar për DCI-në dhe nëse ka pasur ndonjë kontratë nënkontraktori për sa i përket Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, apo nëse ka paguar në emër të kësaj partie.
Po kë të thërrasim? Të thërrasim Kondoliza Rajsin? Të thërrasim Xhorxh Bushin? Ai është në pension. Xhorxh Bushi është duke peshkuar. Tani, të thërrasim Xhorxh Bushin të vijë të dëshmojë këtu? Do të habiteshin të gjithë.
Ai e ka takuar Xhorxh Bushin, por ne nuk mund t'i themi Xhorxh Bushit të vijë të dëshmojë këtu tani. Do të ishte fantastike të vinte, që të shikonte edhe një herë se çfarë po bëhet me drejtësinë amerikane, e cila, në fakt, sipas tyre, flet rusisht. Ky është thelbi i kësaj drejtësie.