AKTUALITET, 17 Mars 2026, 21:35

“Bujqësia po tkurret me ritme të shpejta”- Edmond Panariti: Shqetësim që Shqipëria nuk ka aplikuar ende për programin IPARD 3

“Bujqësia po tkurret me ritme të shpejta”- Edmond

Ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, ka shprehur shqetësim për faktin se Shqipëria ende nuk ka aplikuar për fondet e programit IPARD 3 të Bashkimit Evropian.

Ai iu referua një deklarate të fundit të Komisionit Evropian, ku thuhet se Ministria e Bujqësisë nuk ka dorëzuar ende aplikimin për këto fonde.

Panariti shpjegoi se një nga arsyet kryesore lidhet me kërkesat e rrepta që shoqërojnë procesin e aplikimit. Sipas tij, autoritetet duhet të paraqesin garanci të plota që fondet do të menaxhohen në mënyrë korrekte, se procedurat do të respektojnë standardet dhe se do të ketë përgjegjësi për abuzimet e së kaluarës, përfshirë edhe kthimin e fondeve të keqpërdorura.

Ai theksoi gjithashtu se vendimmarrja për hapjen e fondeve i takon ekskluzivisht Komisionit Evropian, ndërsa i cilësoi fondet IPARD si thelbësore për zhvillimin e bujqësisë në vend.

Sipas Panaritit, mungesa e këtyre mbështetjeve financiare gjatë tre viteve të fundit ka ndikuar negativisht në sektor. Ai paralajmëroi se bujqësia shqiptare po tkurret me ritme të shpejta dhe po humbet konkurrueshmërinë në treg.