AKTUALITET, 1 Prill 2024, 19:42

Brenda pak ditësh gati garancia sovrane për fasonët, Prençe: 70% e kredive mbulohet nga sistemi bankar

Brenda pak ditësh gati garancia sovrane për fasonët,

Qeveria pritet të miratojë gjatë kësaj jave detaje në lidhje me instrumentin e Garancisë Sovrane për sektorin e industrisë përpunuese fason. Kryetari i ‘Pro-Export Albania’, Edvin Prençe ka thënë se ajo që është vendosur nga bankat në dakordësi me Ministrinë e Financave në tavolinën teknike dhe me grupimin e manifakturës, pritet të jetë aktive brenda pak ditësh. “Shpresojmë që akti normativ të jetë aktiv në fund të javës së ardhshme dhe kjo do të bëjë të mundur aplikimin nga ana e bizneseve. Shpresojmë që përqindja e kredisë të jetë sa më e ulët, pasi në këtë mënyrë do të jetë sa më gjithëpërfshirëse dhe në ndihmë të bizneseve”- ka thënë Prençe.

Ky instrument në ndihmë në sektorit fason parashikohet të jetë me terma më pozitivë dhe lehtësues se sa garancitë sovrane që qeveria ka ndërmarrë në periudhën e pandemisë. Kjo lloj kredie mbulohet rreth 70% nga sistemi bankar.

“Duke marrë parasysh këtë garanci sovrane dhe shumë politika të tjera zhvilluese, do të bëjnë të mundur që ky sektor të kalojë në ciklin e plotë, që është një vlerë e shtuar për ekonominë shqiptare, për pagat e punonjësve dhe për vetë biznesin që të rimarrë veten”- shton ai. Prençe ka thënë se për ta bërë markën ‘Made in Albania’ më të njohur, projektligji i ri për Dhomën Ekonomike Kombëtare ku të gjithë bizneset do të jenë të detyruara të regjistrohen, është pozitiv.

“Duhet patur parasysh që garancia sovrane është e ndarë në dy forma, e para për investime në makineri dhe e dyta për blerjet  e lëndëve të para, pra sektori ka nevojë për asete e promovim dhe certifikimi për të qenë të sigurta për vendet e BE, është pozitiv” – thekson ai. Sipas kreut të ‘Pro-Export Albania’ për shkak të vështirësive të likuiditet e sidomos nga kursi i këmbimit, humbja e këtij sektori vetëm gjatë vitit 2023, ishte rreth 150 mln euro.