TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një ngjarje shqetësuese është denoncuar në zonën e plazhit të Durrësit, ku tre fëmijë të mitur dyshohet se janë lënë të vetëm në banesë nga nëna e tyre, duke u përballur me kushte të vështira jetese.
Sipas informacioneve paraprake, nëna e fëmijëve, e identifikuar si shtetasja Blerina B., është larguar nga banesa dhe prej disa ditësh nuk ka pasur asnjë kontakt, ndërsa fëmijët kanë mbetur pa kujdes prindëror.
Situata është vënë re nga fqinjët, të cilët, të alarmuar nga gjendja e fëmijëve dhe mungesa e përkujdesjes, kanë kërkuar ndërhyrjen e institucioneve përkatëse. Ata raportojnë se të miturit ndodhen në kushte të vështira dhe kanë nevojë urgjente për ndihmë.
Banesa ku jetojnë fëmijët rezulton e lënë pas dore, ndërsa deri më tani nuk ka asnjë informacion zyrtar mbi vendndodhjen e nënës apo arsyet e largimit të saj.
Pas lajmit për një situatë shqetësuese në zonën e plazhit të Durrësit, ku tre fëmijë dyshohet se janë braktisur nga nëna e tyre, shtetasja Blerina B, specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal ndaj shtetases B. B., 33 vjeçe, për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturve”.
Procedimi penal nisi pasi ditën e sotme, rreth orës 17:20, është paraqitur shtetasja D. V., e cila ka deklaruar se ish-nusja e djalit të saj kishte lënë vetëm tre fëmijët e mitur në pallatin ku banonte, rasti i publikuar dhe në rrjete sociale.
Nga ana e shërbimeve të Policisë, në bashkëpunim me Zyrën e Mbrojtjes së Fëmijëve, u bë e mundur marrja në mbrojtje e tre fëmijëve, të cilët u dërguan në spital për ekzaminime mjekësore dhe më pas u morën në kujdes nga Qendra e Mbrojtjes së Fëmijëve Durrës.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.