AKTUALITET, 21 Janar 2026, 16:59

Braçe depoziton kërkesë në Kuvend, kërkohet seancë pyetje-përgjigje me Ministren e Shëndetësisë për mbylljen e Qendrës Shëndetësore ‘Irfan Tomini’

Braçe depoziton kërkesë në Kuvend, kërkohet

Deputeti i PS-së, Erion Braçe, ka depozituar një kërkesë zyrtare për zhvillimin e një seance pyetje-përgjigje me Ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, lidhur me mbylljen dhe mosfunksionimin e Qendrës Shëndetësore në rrugën “Irfan Tomini”, Njësia Administrative nr. 5, në Tiranë.

Në kërkesën drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, deputeti Braçe kërkon shpjegime mbi arsyet pse kjo qendër shëndetësore nuk është në funksion të plotë, si dhe informacion mbi planet e ministrisë për rikthimin sa më parë të shërbimit shëndetësor pranë qytetarëve të zonës.

Po ashtu, në kërkesë kërkohen të dhëna të detajuara mbi numrin e qytetarëve që merrnin shërbim shëndetësor në këtë qendër përpara mbylljes, të ndarë sipas grupmoshave, si dhe sa qytetarë kanë mbetur pa shërbim shëndetësor që prej muajit gusht 2025, kur qendra u mbyll.


Kërkesa e Erion Braçes drejtuar Niko Peleshit:

KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
KRYETARIT, Z. NIKO PELESHI

I nderuar z. Kryetar,

Në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, bazuar në nenet 90 dhe 95 të Rregullores së Kuvendit, kërkoj zhvillimin e një seance pyetje-përgjigje me Ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, znj. Evis Sala, për sa më poshtë vijon:

Përse Qendra Shëndetësore në rrugën “Irfan Tomini”, Njësia Administrative nr. 5, Tiranë, nuk është në funksion të plotë dhe në shërbim të qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore, dhe cilat janë planet tuaja për ta rikthyer sa më parë këtë shërbim pranë qytetarëve të kësaj zone?

Sa qytetarë, të ndarë sipas grupmoshave, merrnin shërbim shëndetësor në këtë qendër përpara mbylljes së saj dhe sa qytetarë, po të ndarë sipas grupmoshave, nuk kanë marrë shërbim shëndetësor që prej muajit gusht 2025, kur kjo qendër është mbyllur?