AKTUALITET, 13 Shkurt 2026, 20:28

Bozdo: “Durana Park” është ligj special korruptiv, përgjegjësit do t’i çojmë para drejtësisë

Bozdo: “Durana Park” është ligj special korruptiv,

Deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo thotë se me “Durana Tech Park”, qeveria po u krijon mundësinë kompanive që të bëjnë evazion fiskal.

Në një postim në rrjete sociale, mbi një reagim të ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj, deputeti thekson se Durana Park është shembulli tipik i bërjes së një ligji special në favor të disa kompanive, të cilat, siç thotë ai, kanë të njëjtët pronarë që kanë thithur të gjitha fondet korruptive të Agjencisë Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

“Për të mundësuar këtë gjë, qeveria Rama shpiku konceptin e “parkut virtual”, koncept i paparë dhe padëgjuar në asnjë vend të BE-së. Madje në kundërshtim flagrant me standardin BEPS që BE operon në këtë fushë! Kompanitë në të vërtetë gjenden kudo, por vetëm në park jo!”, thotë ai në reagimin e tij.

Bozdo thekson se nëpërmjet parkut virtual, po falen taksat dhe tatimet për këto kompani që nuk operojnë në këtë park, dhe se në këtë mënyrë  “paratë e shqiptarëve përfundojnë në xhepat e grabitësve qeveritarë”.

“Në parkun virtual Durana falen taksat dhe tatimet, edhe pse kompanitë operojnë kudo, por jo në këtë park. Me anë të virtualitetit deformohet konkurrenca dhe paratë e shqiptarëve përfundojnë në xhepat e grabitësve qeveritarë.”, shton ai.

Ai bën me dije se i është drejtuar me një kërkesë zyrtarëve ministres Ibrahimaj dhe ministrisë së Financave për të marrë informacione lidhur me këto kompani virtuale që po zhvasin qytetarët. Ai shpreh bindjen se kësaj çështjeje do t’i shkojnë deri në fund dhe përgjegjësit do të vihen para drejtësisë.

Reagimi i plotë:

Durana Park, është shëmbulli tipik i bërjes së një ligji special korruptiv nga qeveria Rama, për një tufë kompanish (të cilat kanë “çuditërisht” të njëjtët pronarë që kanë thithur të gjitha fondet korruptive të AKSHI-it), kliente të pushtetit, të cilave u ofrohet ligjërisht mundësia për të bërë evazion fiskal.

Për të mundësuar këtë gjë, qeveria Rama shpiku konceptin e “parkut virtual”, koncept i paparë dhe padëgjuar në asnjë vend të BE-së. Madje në kundërshtim flagrant me standardin BEPS që BE operon në këtë fushë! Kompanitë në të vërtetë gjenden kudo, por vetëm në park jo!

Në parkun virtual Durana falen taksat dhe tatimet, edhe pse kompanitë operojnë kudo, por jo në këtë park.

Me anë të virtualitetit deformohet konkurrenca dhe paratë e shqiptarëve përfundojnë në xhepat e grabitësve qeveritarë.

Znj. Ministre sot është treguar shumë e kënaqur ndërsa informohet për “sukseset” e këtij parku virtual.

Shpresoj që ajo dhe ministri financave të më kthejnë përgjigje sa më parë (kërkesës zyrtare për informacion) për këto kompani virtuale, pronarët e tyre të vërtetë, dhe sasinë e parave që këto kompani u kanë zhvatur shqiptarëve.

Kësaj çështjeje do t’i shkojmë deri në fund! Përgjegjësit e kësaj skeme grabitjeje do të shkojnë përballë drejtësisë!