AKTUALITET, 12 Janar 2026, 10:32

Gonzato: S’kemi kohë për të humbur. Kemi nevojë për drejtësi cilësore, duhen më shumë gjyqtarë. Dosjet nëpër gjykata janë stok

Gonzato: S’kemi kohë për të humbur. Kemi nevojë

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, në një konferencë për mediat sot në 12 janar, foli për drejtësinë në Shqipëri dhe rritjen e cilësisë së saj.

Gonzato tha se ai e di që është e vështirë, që të rritet cilësia e drejtësisë në vend, pa rritur personelin. Sipas tij, Shqipërisë i duhen më shumë gjyqtarë, prokurorë dhe asistentë ligjorë, për drejtësi më efikase. Ai kërkoi edhe harmonizimin e ligjeve me ato të BE-së.

“Viti që kemi përpara ëshë një vit i rëndësishëm për drejtësinë. Drejtësia është shumë e rëndësishme për të gjithë qytetarët shqiptarë. Ne do mbështesim gjithmonë drejtësinë në Shqipëri. Gjykatësit kanë një numër të lartë çështjesh dhe e di se kjo është e vështirë të prodhojë cilësi.

Na duhen më shumë gjyqtarë e prokurorë, të mbështetur nga asistentë ligjorë. Të gjitha vendet bosh duhet të plotësohen. Nuk kemi kohë për të humbur. Këshilltarët ligjorë janë tepër të rëndësishëm që drejtësia të jetë më cilësore. Kjo është thelbësore për reformën në drejtësi”, tha Gonzato.

Komentet Gonzato i bëri në aktivitetin KONFERENCA KOMBËTARE "Cilësia e Drejtësisë në Shqipëri", ku u mblodhën sëbashku gjyqtarë të të gjitha niveleve, përfaqësues të institucioneve të qeverisjes së gjyqësorit dhe prokurorisë, profesionistë të fushës juridike, ekspertë të shoqërisë civile dhe partnerë ndërkombëtarë, për të diskutuar se si një praktikë gjyqësore koherente dhe e aksesueshme mund të forcojë cilësinë e drejtësisë në Shqipëri.

Gonzato tha gjithashtu se gjyqtarët dhe prokurorët në Shqipëri po përballen me sfida të vështira këto kohë, pasi sipas tij, ata janë të detyruar që të punojnë nën presion dhe me një numër të madh dosjesh.

Gonzato bëri thirrje që këshillat të vijojnë shumë shpejt me vlerësimet dhe emërimet e nevojshme të gjyqtarëve, prokurorëve dhe asistentëve të tyre ligjorë, në mënyrë që puna në sistemin e drejtësisë të vazhdojë normalisht.

“I kuptoj sfidat që kanë gjyqatarët. E di që nuk është e lehtë që të punosh nën trysni e presion, në një stok të madh dosjesh. Këto sfida kërojnë zgjidhje. Na duhen më shumë gjyqtarë e prokurorë të mbështetur nga një numër këshilltarësh dhe asistentësh ligjorë. Si hap fillestar të gjitha vendet e lira duhet të plotësohen.

Kjo do të thotë se këshillat duhet të vijojnë shumë shpejt me vlerësimet dhe emërimet e nevojshme. Nuk ka kohë për të humbur. Numrat duhet të rriten për të mbështetur më shumë gjyqtarët në punën e tyre të përditshme.

Është shumë e thjeshtë pra. Gjykatat duke pasur të gjithë gjyqtarët në detyrë me asistentët ligjorë përkatës, funksionojnë me mirë. Gjykata e lartë është një shembull i qartë për këtë”, tha mes të tjerash Gonzato.

Po në këtë konferencë, më herët foli edhe kreu i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi. Gjatë fjalës së tij, Sadushi u shpreh se shpejtësia pa koherencë dhe pa arsyetim të qëndrueshëm përbën rrezik për sigurinë juridike dhe besimin e publikut.