TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Territoriale, Luçiano Boçi u shpreh se komisioni po zhvillon dëgjesa në disa qarqe të vendit për të mbledhur propozimet dhe shqetësimet e qytetarëve lidhur me reformën territoriale.
Sipas Boçit, shumë qytetarë po kërkojnë krijimin e bashkive të tyre, me argumentin se vetëm kështu mund të marrin shërbimet e nevojshme. Ai ndaloi edhe te deklaratat e kryebashkiakut Zotkaj, të cilat i cilësoi si të forta, por të vërteta.
“Ka qenë i ashpër zoti Zotkaj. Ka shprehur shumë të vërteta, gjë që rrallë ndodh në ambientet tona politike, sidomos kur vijnë nga mazhoranca. Ai ka shprehur dështimin e reformës së vitit 2014 dhe ka kërkuar që Poliçani të qëndrojë si bashki më vete”, tha Boçi.
Ai shtoi se zëra të ngjashëm po vijnë edhe nga bashki të tjera të vogla dhe të mesme, të cilat kundërshtojnë mundësinë e shkrirjes së tyre. Sipas tij, nëse ndodh kjo, rrezikohen shërbimet për qytetarët dhe rritet më tej fenomeni i largimit të popullsisë. Boçi theksoi se pushtetit vendor duhet t’i jepen kompetenca të plota, por edhe mbështetje financiare, duke shtuar se reforma territoriale nuk lidhet vetëm me hartën administrative, por edhe me administrimin dhe funksionimin e njësive vendore.
Në lidhje me procesin e integrimit europian, ai tha se opozita mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, ndërsa vonesat në proces, sipas tij, lidhen me korrupsionin qeveritar.
“Jemi duke bërë dëgjesa për reformën territoriale, në disa qarqe. Qytetarët kërkojnë të krijojnë bashkitë e tyre dhe t’u ofrohen shërbimet. Ka qenë i ashpër zoti Zotkaj. Ka shprehur shumë të vërteta në fakt, që rrallë ndodhin në ambientet tona politike, që të mendosh që vinë nga mazhoranca. Ai ka shprehur dështimin e reformës së 2014 dhe ka kërkuar që Poliçani të qëndrojë si bashki me vete. Këto zëra janë shtuar dhe nga disa bashki që konsiderohen si të vogla dhe të mesme. Nëse ndodh shkrirja e bashkisë, rrezikohen shërbimet dhe qytetarët do të largohen. Shqipëria rrezikon të zbardhet të humbasë atë moshë te re, dhe po rrezikon shpopullim. Misioni ynë është që të ndalin shpopullimin. Pushteti vendos duhet t’i jepen kompetenca të plota, por dhe financa. Reforma territoriale ka brenda dhe administrimin.
Opozita mbështet anëtarësimin në BE. Ngadalësimi i procesit të integrimit është për shkak të korrupsionit qeveritar.”, tha ai.
Po ashtu Boçi u ndal dhe te debati që pati sot me Maznikun. Ai tha se është përplasje vizionesh. “Ka një nervozizëm nga ana e mazhorancës, pasi nuk i konvenojnë fjalët. Pyetjet që vijnë nga opozita, krijojnë nervozizëm. Ishte përplasje vizionesh.”, tha ai.