AKTUALITET, 2 Shkurt 2023, 13:29

Boçi: Po vazhdojmë marrjen e firmave për komisionin hetimor ndaj Ramës, krahas protestave!

Boçi: Po vazhdojmë marrjen e firmave për komisionin hetimor

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Luçiano Boçi, dha një deklaratë për mediat pas daljes nga parlamenti, ku u zhvillua një seancë me plot përplasje për faktin se kryetarja e Kuvendit nuk lejoi të opozita të zhvillonte mocion me debat për skandalin e kryeministrit Rama me zyrtarin e arrestuar të FBI, Charles McGonigal.

Boçi theksoi se po e vazhdojnë marrjen e firmave për ngritjen e komisionit hetimor ndaj Edi Ramës për këtë aferë. Nuk do të mjaftohemi me kaq, do të vazhdojmë edhe me protestat tha ai. 

"Zoti Rama tani kërkon krahas fshehjes, edhe mbrojtjen policore”, - tha ai. - "Po as më pak, as më shumë, të gjithë burracakët dhe tradhtarët, pavarësisht kohës ku jetojnë dhe vendosin, kanë të njëjtën pamje dhe veprojnë në të njëjtën mënyrë sikurse Rama: Fshihen para së vërtetës dhe madje duke u fshehur, vazhdojnë punën e tyre burracake të goditjes së kundërshtarit, sepse atë që nuk ka arritur dot McGonigal, kërkoi ta arrijë sot nëpërmjet mbylljes së gojës së opozitës.

Kemi kërkuar që nga seanca e kaluar, mocion me debat për kryeministrin, që ai të ballafaqohet me të vërtetën dhe me mendimin dhe opinionin e deputetëve që janë përfaqësues të votuesve të tyre.  

Është shmangur me urdhër të tij ky mocion, seancën e kaluar. Përsëri në këtë seancë është votuar kundër, sikurse i është fshehur edhe interpelancës së kërkuar nga PD-ja.

Të gjitha këto veprime kërkojnë alarmin e tij, tregojnë që Rama është i zhytur në vepra penale të rënda, vepra penale që lidhen me tradhtinë kombëtare, me cenimin e imazhit të Shqipërisë, të marrëdhënieve miqësore me SHBA-në, të sulmit ndaj institucioneve të SHBA-së dhe përpjekjeve të tij për të goditur pluralizmin dhe demokracinë në Shqipëri.”