TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Vendimi i administratës Trump për të pezulluar përkohësisht vizat e emigrimit nga 75 vende të botës, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën, u kthye në kryefjalën e mediave në të dyja vendet.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka bërë të qartë se të huajt që emigrojnë në SHBA duhet ta mbajnë veten me punë, dhe jo të bëhen barrë e shtetit, dhe tani Departamenti i Shtetit po e bën rishikimin e plotë të të gjitha politikave, rregulloreve dhe udhëzimeve, për t’u siguruar që emigrantët nga këto shtete – që autoritetet amerikane i cilësojnë si vende me rrezik të lartë – të mos i shfrytëzojnë ndihmat sociale të shtetit amerikan dhe të mos bëhen barrë e parave publike.
Vendimi do të hyjë në fuqi më 21 janar. Por cfarë është saktësisht viza e emigrimit? Kjo vizë i mundëson një shtetasi të huaj hyrjen në Shtetet e Bashkuara, me qëllim që të jetojë atje përjetë. Pra, në thelb, ajo shihet si bileta që i krijon përfituesit mundësinë të bëhet ligjërisht banor i përhershëm në SHBA, si mbajtës i “Green Card”.
Viza në fjalë u lëshohet atyre që duan të zhvendosen përherë në SHBA, ndërkohë që nga rregullat e reja përjashtohen ata që vizitojnë përkohësisht Shtetet e Bashkuara për turizëm, studime ose punë. Pasi i pranohet viza e emigrimit, personi zakonisht fiton të drejtën për të jetuar përherë në SHBA, për të punuar pa kufizime, dhe përfundimisht për të aplikuar për nështetësinë amerikane.
Nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, prej vendimit te Trumpit rezulton se nuk preket vetëm Serbia.
Lista e plotë e vendeve te 'bllokadës' përfshin Afganistanin, Shqipërinë, Algjerinë, Antigua dhe Barbudën, Armeninë, Azerbajxhanin, Bahamas, Bangladeshin, Barbadosin, Bjellorusinë, Belizen, Butanin, Bosnjën, Brazilin, Burmën, Kamboxhian, Kamerunin, Kepin e Gjelbër, Kolumbinë, Bregun e Fildishtë, Kubën, Republikën Demokratike të Kongos, Dominikën, Egjiptin, Eritrenë, Etiopinë, Fixhin, Gambinë, Gjeorgjinë, Ganën, Grenadën, Guatemalën, Guinenë, Haitin, Iranin, Irakun, Xhamajkën, Jordaninë, Kazakistanin, Kosovën, Kuvajtin, Kirgistanin, Laosin, Libanin, Liberinë, Libinë, Maqedoninë, Moldavinë, Mongolinë, Malin e Zi, Marokun, Nepalin, Nikaraguanë, Nigerinë, Pakistanin, Republikën e Kongos, Rusinë, Ruandën, Shën Kitsin dhe Nevisin, Shën Luçinë, Shën Vincenti dhe Grenadinet, Senegalin, Sierra Leonen, Somalinë, Sudanin e Jugut, Sudanin, Sirinë, Tanzaninë, Tajlandën, Togon, Tunizinë, Ugandën, Uruguain, Uzbekistanin dhe Jemenin.