AKTUALITET, 3 June 2026, 12:22

'Biletat, të garantuara'/ Anulohet koncerti i Kanye West në Itali, Gonxhja fton fansat italianë të vijnë në koncertin e Tiranës

'Biletat, të garantuara'/ Anulohet koncerti i Kanye West në

Pas anulimit të koncertit të reperit Ye në Reggio Emilia të Italisë ministri shqiptar i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja ka ftuar fansat italianë të vijnë në koncertin e planifikuar në Tiranë më 11 korrik, shkruan gazzettadireggio.it.

Gonxhja mban postin e ministrit që nga viti 2024 dhe vazhdon të drejtojë sektorin e turizmit, kulturës dhe sportit në Shqipëri.

Sipas artikullit të medias italiane anulimi i koncertit të Ye dhe Travis Scott në arenën RCF Arena erdhi për arsye sigurie.

“Më 11 korrik, do të mbahet koncerti i Ye në Tiranë. Të gjitha biletat janë të garantuara nga qeveria jonë. Kjo është zgjedhja më e mirë për fansat italianë”, thekson Gonxhja.

Mesazhi është interpretuar nga media italiane si një mënyrë për të promovuar koncertin në Tiranë dhe për të përfituar nga interesi i madh i fansave që mbetën pa eventin e planifikuar në Reggio Emilia.

Në artikull theksohet gjithashtu se Shqipëria po investon fuqishëm në infrastrukturën sportive dhe organizimin e eventeve të mëdha ndërkombëtare, me synimin për të tërhequr më shumë turistë dhe aktivitete kulturore.