AKTUALITET, 5 Maj 2024, 08:50

Besimtarët ortodoksë në të gjithë vendin kremtojnë Pashkën! Uron edhe politika

Besimtarët ortodoksë në të gjithë vendin kremtojnë

Besimtarët ortodoksë në të gjithë vendin festojnë Pashkët. Me lutjet për paqe dhe mirësi, ata ndoqën meshën e ngjalljes së Krishtit në Kishat dhe Katedralet në gjithë vendin. Ngjallja e Krishtit këtë vit kulmoi në mesnatën mes 4 dhe 5 majit.

Në Tiranë, mesha e shenjtë e Pashkës u kremtua në Katedralen ‘Ngjalla e Krishtit’.

Besimtarët kanë ndezur qirinj në “Katedralen Ortodokse Ngjallja e Krishtit” për të çuar në shtëpi dritë nga drita e Jezukrishtit i cili tanimë u ngjall vërtetë.

Festimet do të vijojnë gjatë gjithë ditës së diel, 5 prill.

Ndërkohë Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj uroi besimtarët ortodoksë shqiptarë për Pashkën. Bashkë me urimin për Pashkë të bekuara e të gëzuara kreu i shtetit përcolli mesazhin e bashkimit dhe mbështetjes së njëri-tjetrit në nevojë, duke shpërndarë besim dhe optimizëm në shoqërinë shqiptare.

Mesazhi i plotë i Presidentit të Republikës për Pashkët:

“Gëzuar Pashkën, ditën e besimit dhe të shpresës për të gjithë besimtarët ortodoksë shqiptarë!

Kjo festë e shenjtë përbashkon sot kudo te gjithe besimtaret ortodoksë.
Pashkët na ftojnë të kemi besim e të jemi shpresëplotë për jetën.
Të mbështesim vëllazërinë, miqësinë e shoqërinë në të mirë e në të keq.
Pashkët simbolizojnë dritën e jetës, ngadhnjimin e jetës mbi vdekjen.
Qirinjtë që besimtarët ortodoksë marrin nga flaka e kandilit në kishë dhe e çojnë në shtëpitë e tyre sonte kanë marre me vete shpresën, besimin dhe optimizmin për një jetesë të paqtë, të gëzuar e plot shëndet.
Ringjallja e këtyre tre elementeve është shumë e rëndësishme për shoqërinë tonë.

Pashkë të bekuara e të gëzuara për të gjithë besimtarët ortodoksë shqiptarë kudo po i festojnë!

Edhe kryeministri Rama uroi besimtarët me ane te nje postimi ne Facebook: Miremengjesi! Gëzuar Pashkët Ortodokse.