TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Senatori amerikan Bernie Sanders ka reaguar publikisht për protestat masive që po zhvillohen në Shqipëri kundër projektit turistik luksoz të lidhur me dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner.
Në një postim në rrjetet sociale, Sanders tha se mbi 100 mijë shqiptarë kanë dalë në rrugë për të kundërshtuar atë që ai e cilësoi si një projekt “mjedisor katastrofik”, i planifikuar nga Kushner dhe partnerët e tij miliarderë nga Katari.
“Në Shqipërinë e vogël, mbi njëqind mijë njerëz kanë dalë në rrugë kundër një resorti luksoz mjedisor katastrofik të planifikuar nga dhëndri i Trumpit, Jared Kushner, dhe partnerët e tij miliarderë nga Katari. Kjo është oligarkia globale – dhe njerëzit po thonë JO”, shkroi Sanders.
Deklarata e senatorit progresist amerikan vjen në një moment kur protestat kundër projekteve të planifikuara në zonën e Zvërnecit dhe në ishullin e Sazanit kanë tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare.
Ndërkohë, protestat janë shndërruar gradualisht nga një kundërshtim ndaj projektit në një lëvizje më të gjerë qytetare, me kërkesa që përfshijnë transparencë, mbrojtjen e mjedisit dhe kundërshtimin e asaj që organizatorët e quajnë “shitja e Shqipërisë”.
Reagimi i Sanders përbën një nga deklaratat më të forta të një politikani të nivelit të lartë amerikan në mbështetje të protestave që po zhvillohen aktualisht në Shqipëri.
