TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kryeministri Edi Rama mer pjesë në Konferencën Vjetore të Komisionit të Bllokut Lindor në Berlin, një nga forumet më të rëndësishme të dialogut ekonomik dhe politik mes Gjermanisë dhe vendeve të Europës Lindore.
Në fjalën e tij, Rama e krahasoi situatën aktuale të Europës me periudhën historike të ribashkimit gjerman, duke vlerësuar rolin e ish-kancelarit Helmut Kohl. Sipas tij, Bashkimi Europian ndodhet sot përballë një momenti vendimtar, ku duhet të zgjedhë mes vazhdimit të hezitimit dhe marrjes së vendimeve strategjike për të ardhmen e kontinentit.
“Europa po i afrohet një momenti mjaft të ngjashëm. Një momenti kur vazhdimi i menaxhimit të realitetit përmes procedurave, hezitimeve dhe supozimeve të trashëguara po bëhet më i rrezikshëm sesa marrja e vendimeve strategjike. Një moment që kërkon atë që unë do ta quaja një moment të ri Helmut Kohl”, tha Rama.
Duke folur për procesin e integrimit europian, kryeministri tha se Shqipëria ka avancuar me ritme të shpejta në negociatat me Bashkimin Europian dhe mbetet e vendosur për të përmbyllur negociatat deri në vitin 2027, me synimin për t’u bërë anëtare e plotë para fundit të dekadës.
Rama theksoi se zgjerimi i BE-së nuk duhet parë si një akt bamirësie, por si një domosdoshmëri strategjike për vetë Europën. Ai kritikoi faktin që Ballkani Perëndimor vazhdon të mbetet jashtë shumë projekteve strategjike europiane, ndonëse ka një rol të rëndësishëm në sigurinë energjetike, digjitale dhe ekonomike të kontinentit.
“Na futni në arkitekturën strategjike të Europës tani. Na jepni vend në tryezë, para se të na jepni veto. Na jepni pjesëmarrje, para se të na jepni komisionerë. Na jepni përgjegjësi, para se të na jepni ornamente institucionale”, tha Rama.
Një pjesë e rëndësishme e fjalimit iu kushtua teknologjisë dhe inteligjencës artificiale. Kryeministri nënvizoi se gara e së ardhmes nuk do të zhvillohet për territore, por për dije, inovacion dhe sovranitet teknologjik. Ai tha se Shqipëria po zbaton një nga transformimet më të mëdha digjitale në Europë, duke digjitalizuar shumicën e shërbimeve publike dhe duke integruar inteligjencën artificiale në administratë.
“Inteligjenca artificiale nuk është thjesht një revolucion tjetër teknologjik. Ajo po bëhet me shpejtësi infrastruktura nga e cila do të varet gjithnjë e më shumë fuqia ekonomike, kapaciteti ushtarak, lidershipi shkencor dhe qëndrueshmëria demokratike”, tha Rama.
Në fund të fjalës së tij, Rama ndaloi te sfidat që sipas tij paraqet dezinformimi dhe ndikimi i algoritmeve në shoqëritë demokratike. Ai argumentoi se përhapja masive e informacionit të rremë po rrezikon funksionimin e demokracive dhe besimin e qytetarëve te institucionet.
“Liria e fjalës është gur themeli i demokracisë. Liria e shpërndarjes është një fuqi teknologjike e pashembullt, me të cilën asnjë demokraci nuk është përballur më parë”, tha Rama.
Në përmbyllje, kryeministri deklaroi se Shqipëria është e gatshme të vazhdojë reformat dhe të kontribuojë në të ardhmen europiane, ndërsa ngriti pyetjen nëse vetë Europa është gati të ndërmarrë hapat e nevojshëm për ribashkimin e plotë të kontinentit.
“Shqipëria është gati. Gati të reformohet. Gati të krijojë novacion. Gati të kontribuojë. Gati të mbajë pjesën e saj të përgjegjësisë. Por pyetja e vërtetë nuk është nëse Shqipëria është gati. Pyetja e vërtetë është nëse Europa është gati?”, tha Rama.