AKTUALITET, 30 Janar 2023, 13:00

Berisha zbulon detaje nga takimi me Metën: Ja për çfarë diskutuam

Berisha zbulon detaje nga takimi me Metën: Ja për çfarë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zbuluar detaje nga takimi me kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ku mes të tjerash kanë folur edhe për aksionin opozitar.

Por i pyetur nga gazetarët nëse do të ketë protesta të enjten para Parlamentit, Berisha tha këtë përgjigje:

“Sigurisht që diskutuam për gjendjen kritike në vend dhe mënyrën e përballimit të kësaj situatë tepër kritike. Diskutuam gjerësisht dhe gjetëm pajtim të plotë në mendime për qëndrimet që duhet të mbajmë. Parlamenti Linda Rama ka humbur çdo legjitimitet me aktet që bën”, tha ish-kryeministri.

Berisha u pyet edhe për pjesëmarrjen në zgjedhje, në kushtet kur gjykata njeh PD e Alibeajt, por ai tha se gjykata e ka dhënë fjalën e saj më 25 mars, ndaj u shpreh i bindur në pjesëmarrjen e zgjedhjeve të 14 majit, duke theksuar se do ti “japim vendin e merituar Edi Ramës”.

“KQZ nuk mund të njohë vendim tjetër përveçse atë të gjykatës 25 mars 2022. Ai është vendim i plotë dhe ai nëse zbaton porositë politike të një njeriu që meriton të jetë për në burg, për dëmin që i bëri marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA. Ju garantoj se për dy apo më shumë dekada nuk riparohet. PD do të marrë pjesë në zgjedhje, do të fitojë dhe do i japë vendin e merituar Edi Ramës në koshin e historisë”.