AKTUALITET, 16 Prill 2026, 10:55

Berisha: Vodhët fondet e IPARD, fermerët i përjashtuat nga 130 mln euro mbështetje e BE. S’matemi as me Kosovën, këtë vit ka ndarë 200 mln euro për bujqësinë

Berisha: Vodhët fondet e IPARD, fermerët i përjashtuat nga 130

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nga Kuvendi, akuzoi qeverinë se nuk ka ofruar mbështetje të mjaftueshme ndaj fermerëve, duke theksuar se vendi ynë nuk mund të krahasohet as me Kosovën e jo më me vendet e BE.

Kryedemokrati theksoi se Kosova ka ndarë 200 milionë euro për bujqësinë, ndërsa përmendi edhe fondet IPARD që u bllokuan nga BE për shkak të abuzimeve. Ai tha se qeveria iu vodhi 134 milionë euro fermerëve, fonde të BE që ishin destinuar për sektorin e bujqësisë.

“Mashtrimi është bërë ligji i tyre, ligji themelor i moralit të tyre. Qeveria e mëparshme ka investuar 3 miliardë euro dhe ka ndryshuar ullinjtë nga 4 milionë që vijnë nga koha e Skënderbeut në 11 milionë rrënjë. Së dyti, nuk matemi me vendet e BE, por vetëm për Kosovën, ajo ka ndarë këtë vit 200 milionë euro për bujqësinë. Kosova ka ndarë 4 herë më shumë se Shqipëria, jep për 1 hektarë grurë 400 euro.

Kosova jep për 1 hektarë grurë për plehrat, 100-150 euro, për farën, naftën, pra jo të krahasoheni me Gjermaninë, as me Francën e Italinë por me Kosovën. Kosova ka gjysmën e buxhetit tonë 4 miliardë euro. Pse jeni kaq të mjerë që ngrini papagallin e një hajduti që po shkatërron vendin. Ti duhet të jesh i pari se ata fermerët e jugut…

Po IPARD-in që e vodhët dhe i përjashtuar nga 130 milionë euro mbështetje e BE, pse s’e thua ti këtë. Apo i vodhi ai që pa leje. Dhe atë që vodhi e mori këshilltare në zyrë”, tha ai.