AKTUALITET, 20 Prill 2024, 20:54

Berisha thirrje Ballës: Mos guxo të prekësh demokratët e protestuesit me dorë

Berisha thirrje Ballës: Mos guxo të prekësh demokratët e

Kryetari i PD-së, Sali Berisha iu drejtua Ministrit Taulant Balla, që të mos guxojë e të prekë të rinjtë që u arrestuan ditën e sotme për shkak të protestës para Bashkisë Tiranë. Berisha gjatë fjalës së tij tha se rruga që po ndjekin demokratët është ajo e qytetëruar dhe evropiane.

"Por unë kam një përshëndetje të veçantë për të burgosurit tanë politikë, të rinjtë Franc Kaloshi, Kevin Vidrica, Bernard Metaliaj, të cilët u rrëmbyen, u morën peng nga banditët me uniformë, në shkelje të ligjit, në shkelje të Kushtetutës dhe u keqtrajtuan nga horra në qelitë e narkoshtetit. Unë i them Taulant Ballës, se ti o mik i bandave, se ti o kriminel që ke porositur vrasje, në salla gjyqi të kanë dalë, bashkëpunëtor në trafiqe monstruoze, mos prek demokratët me dorë sepse do ta pësosh atë që meriton. Miqtë e mi, ju duhet ta dini se në qeli luftëtarëve të paepur, guximtarë, u kanë dërguar policë vrasës, të dënuar për vrasje në vende të tjera për të bërë rrugaçin, për t’i sharë dhe për t’i terrorizuar. Por ata kanë qëndruar si viganë, kanë qëndruar si heronj të vërtetë dhe të premten beteja vazhdon e fuqishme, e premtja është fitorja.

Të dashur miq, rruga që ndjekim është rruga e qytetëruar, është rruga evropiane, është qëndrimi evropian kundër padrejtësive të mëdha, është qëndrimi evropian kundër vjedhjeve të mëdha, është qëndrimi i kombit të qytetëruar kundër mafies kriminale. Është vendimi për të paguar çdo çmim për t’u çliruar prej tyre. Është guximi për t’u përballur dhëmb për dhëmb me krimin shtetëror. Asgjë nuk mund të na impresionojë ne. Asgjë nuk na ndal ne në rrugën tonë. Një nga një do presim lidhjet e Erion Veliajt me mafien dhe i themi, forcë në botë që të mbron ty nuk ka. Jep dorëheqjen o kriminel, o hajdut. Sot të mbron Edi Rama se mbron krimet e tij. Sot të mbron Edi Rama se mbron konton bankare, paratë e vjedhura së bashku në djegësin e Tiranës. Sot të mbron Edi Rama se mbron 30 përqindëshin e tij në kullat dhe pallatet e tij në mbarë Shqipërinë. Por Edi Rama do marrë përgjigjen që meriton fill pas teje. Qeveria teknike është betimi ynë para shqiptarëve," tha Berisha.