TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi kreun e qeverisë, Edi Rama se kontraktoi ish-zyrtarin e lartë të FBI-së, Charles McGonigal në vitin 2017 për të shkatërruar opozitën shqiptare.
Në një konferencë për mediat, Berisha tha se për këtë aferë, Rama meriton dënimin më të ashpër të mundshëm. Sipas tij, McGonigal iu ofrua Ramës si një mekanizëm për të goditur opozitën dhe për të shkatërruar pluralizmin në Shqipëri.
Sali Berisha: Me aktin e tij ndaj PD-së, me angazhimin e njërit prej figurave më të fuqishme të zbulimit të vendit partner, për falsifikim dhe manipulim për luftë të hapur kundër PD-së, tregoi se ai meriton çdo dënim dhe ndëshkim. Tregon se demokratët dhe demokratet do të ngrihen në një betejë vendimtare. Kësaj here, për shpëtimin e Shqipërisë, nga armiku më i egër që shqiptarët kanë pasur pas Enver Hoxhës në historinë e tyre.
Sot, afera Rama-McGonigal, është kryeafera e planetit. Një dramë e tmerrshme në fushën e sigurisë, që zhvillohet sa në SHBA, po kaq në Tiranë. Ka për autor, Charles McGonigal, njeriun kryesor të kundërzbulimit në SHBA. Njeriu që njihte, kishte njohuri të tmerrshme dhe të jashtëzakonshme për sigurinë e vendit të madh. Ky njeri i ofrohet Edi Ramës për të shkatërruar opozitën shqiptare. Këtë njeri, Edi Rama pasi grabiti zgjedhjet e 2017-ës, e kontrakton për t’i dhënë opozitës goditjen e mëshirës.
Demokratë, janë momentet më solemne, janë momentet më kritike, më të rëndësishme të jetës suaj politike. E ardhmja e PD-së, e ardhmja e demokracisë shqiptare, do përcaktohet nga suksesi i betejës kundër kësaj kalbësire të pashembullt. Angazhoi në shkelmimin më flagrant të çdo parimi dhe interesi të shqiptarëve, agjenturën dhe mafien ruse për shkatërrimin e pluralizmit në Shqipëri.