AKTUALITET, 17 Janar 2026, 12:38

Berisha: Rama ka pushtuar Parlamentin dhe po e përdor si instrument për grusht shteti ndaj drejtësisë

Berisha: Rama ka pushtuar Parlamentin dhe po e përdor si instrument

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një bashkëbisedim online me qytetarët, ku ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për uzurpim të institucioneve dhe përpjekje për të vënë nën kontroll sistemin e drejtësisë dhe Parlamentin.

Sipas Berishës, zhvillimet e fundit dëshmojnë, sipas tij, “degradimin total të narko-shtetit”, ndërsa e cilësoi Ramën si kreun e një organizate kriminale që synon kontrollin e plotë të pushtetit. Ai ngriti akuza edhe për ndërhyrje në institucionet e drejtësisë, përfshirë pretendime për ndërhyrje në sistemet e SPAK.

“Edi Rama e ka pushtuar de facto Parlamentin dhe po e përdor atë si instrument për një grusht shteti ndaj drejtësisë”, deklaroi Berisha, duke shtuar se mazhoranca synon të miratojë me procedura të përshpejtuara ligje që, sipas tij, do të bllokonin hetimet penale ndaj kryeministrit dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Ai akuzoi shumicën se po kufizon të drejtat kushtetuese të opozitës, duke penguar fjalën për procedurë, interpelancat, komisionet hetimore dhe çdo mekanizëm parlamentar kontrolli. Berisha tha gjithashtu se, pavarësisht shpenzimeve të mëdha për imazh, figura e kryeministrit po “nxin çdo ditë e më shumë”, ndërsa vendi po përballet me largim masiv të qytetarëve për shkak të korrupsionit dhe keqqeverisjes.

Në fjalën e tij, Berisha u bëri thirrje qytetarëve të reagojnë, duke theksuar se “fjala tani është vetëm e qytetarëve”, të cilët, sipas tij, duhet të ngrihen për të shpëtuar Shqipërinë nga regjimi aktual. Ai deklaroi se Partia Demokratike dhe aleatët e saj janë të angazhuar në një “betejë përfundimtare” për largimin e asaj që e quajti qeverisje e narko-shtetit dhe për krijimin e një qeverie teknike, me synim reformën zgjedhore, zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe reformën territoriale.

Berisha përfundoi duke theksuar se opozita do të kërkojë heqjen dorë nga çdo formë bllokimi ndaj veprimeve të sistemit të drejtësisë.