AKTUALITET, 7 Maj 2024, 20:48

Berisha: Protesta te Bashkia, betejë kundër korrupsionit dhe vjedhjes!

Berisha: Protesta te Bashkia, betejë kundër korrupsionit dhe vjedhjes!

Kreu i PD-së Sali Berisha ka komentuar protestën që u mbajt paraditen e sotme te Bashkia e Tiranës, kundër kryebashkiakut Erion Veliaj pas skandalit të aferës “5D”.

Gjatë fjalës së tij në tubimin qytetar, Berisha i ka cilësuar protestuesit si qëndrestarë të së vërtetës, teksa shton se kjo është një betejë e hapur kundër korrupsionit dhe vjedhjes.

"Mirënjohjen më të pakufishme, nderimin më të madh para jush qëndrestarëve dhe qëndrestareve, misionareve dhe misionarëve të të vërtetës, të dinjitetit, të shpresës, të fitores .Të dashur miq, sot beteja jonë pa kthim, mosbindja jonë civile shënoi një fitore të paparë në 10 vite. Një fitore epike.

Ju ndiqja në televizion tek ngrinit në erë barrikadat që mbronin kryehajnin e bashkisë. Në gjysmën tjetër të televizionit si në një shpellë të mafies, padrino mbajti një monolog, foli me vete dy orë për vjedhjen, vjedhjen dhe korrupsionin.

Ndaluni një moment ju lutem, a mund të imagjinoni ju që pa betejën tuaj, Erion Veliaj, të cilin Dumanë dhe Zamanë e kishin amnistuar pa kushte, të guxonin ta thërrisnin 7 orë në prokurori? Kush mund ta imagjinojë një gjë të tillë? Kjo ishte beteja juaj e fituar dhe ju nderim do të keni gjithmonë",- tha Berisha.