AKTUALITET, 9 Janar 2026, 12:23

Berisha: Largimi i Ramës nuk vjen nga jashtë, as me procese gjyqësore. Qeveria teknike të mos prekë drejtësinë

Berisha: Largimi i Ramës nuk vjen nga jashtë, as me procese

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vijuar akuzat ndaj qeverisë gjatë fjalës së tij në tryezën e PD-së me partitë e opozitës, shoqërinë civile dhe intelektualët, duke deklaruar se zgjedhjet në Shqipëri nuk janë më të lira dhe se vendi ndodhet në një moment kritik për demokracinë.

Berisha iu referua rekomandimeve të Këshillit të Evropës për zgjedhjet në Shqipëri, ku sipas tij kërkohet ndarja e partisë nga shteti. Ai i cilësoi proceset zgjedhore si të ngjashme me ato të periudhës së Enver Hoxhës, por me pluralizëm fiktiv, ndërsa theksoi se edhe vëzhgues nga Parlamenti Evropian kanë deklaruar se krimi i organizuar nuk lejon rotacionin politik dhe mban në pushtet kryeministrin Edi Rama.

Në këtë kontekst, Berisha bëri thirrje për një përpjekje të gjerë qytetare për largimin e qeverisë aktuale, duke e cilësuar atë si një organizatë kriminale. Ai theksoi se ndryshimi nuk mund të vijë as nga ndërhyrjet nga jashtë dhe as nga proceset gjyqësore, pasi sipas tij qeveria përdor pushtetin për të mbrojtur veten nga drejtësia.

Kreu i PD-së kërkoi krijimin e një qeverie teknike me dy objektiva kryesore: përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe mosndërhyrjen në sistemin e drejtësisë. Sipas tij, zgjedhjet e lira nuk ekzistojnë më, ndërsa fitorja e qeverisë aktuale vjen si pasojë e përdorimit të administratës, faljes së gjobave dhe kamatave pak ditë para zgjedhjeve dhe presionit mbi votuesit.

Berisha theksoi se opozita kërkon të vijë në pushtet vetëm përmes vullnetit të qytetarëve dhe kërkoi që krimi elektoral të shpallet krim i rëndë, ndërsa mosndëshkimi i tij, sipas tij, e rrezikon të ardhmen e vendit. “Zgjedhjet e lira dhe demokracia janë i vetmi sistem që krijon të ardhme”, u shpreh ai.

Në lidhje me drejtësinë, Berisha deklaroi se një qeveri teknike duhet të mbajë duart larg sistemit gjyqësor, pavarësisht problemeve dhe mangësive që ai ka. Ai përmendi rezoluta ndërkombëtare që, sipas tij, e kanë cilësuar drejtësinë shqiptare si të politizuar dhe të përdorur kundër opozitës.

Berisha garantoi se Partia Demokratike do të jetë e vendosur për bashkëpunim me të gjitha forcat opozitare dhe shoqërinë civile për realizimin e objektivit të saj kryesor: krijimin e një qeverie teknike dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri.

Përmes qeverisë teknike, shtoi Berisha, duhet të mundësojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ai shtoi se nëse do të mundësohen zgjedhje të ndershme, është i bindur që PD do të vijë në pushtet.

“Mendoj se në frymën e përgjegjësisë më të lartë duhet të dalim me një forum, opozitarë të zgjeruar, forca politike, personalitete dhe cilido që është i gatshëm të përballemi me këtë regjim për të shpëtuar Shqipërinë. Kërkojmë qëeveri teknike, thjesht me dy objektiva. Së pari përgatitjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Ne forca politike opozitare nuk vijmë në pushtet me dhunë, por me vullnetin e shqiptarëve. Ne jemi të sigurt se ne i fitojmë zgjedhjet. Nëse nuk do të falte 2 mld euro gjoba e kamata dy ditë para zgjedhjeve. Nëse nuk do të shpërndante 100 euro për 700 mijë votues..etj.

Pra çfarë kërkojmë ne? Të votojmë të lirë e të qetë. Kërkojmë që krimi elektoral të shpallet krim i rëndë dhe ata që rrinë duarkryq ndaj krimit elektoral, ndryshe Shqipëria …historia ka aprovuar se zgjedhjet e lira dhe demokracia ëhtë i vetmi sistem që krijon e ndërton të ardhmen. Ju bëj thirrje të gjithë atyre që na ndjekin, të përmbushim misionin tonë: Përmbysja e kësaj qeverie dhe zhvillimi i zgjedhjeve të lira. Së dyti, kemi detyrë të mos pengojmë drejtësinë. Drejtësia nuk është e pagabueshme por drejësia nuk pengohet”, tha Berisha.”, u shpreh ai.