TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së tij para mbështetësve foli në lidhje me paraqitjen e kryebashkiakut Erjon Veliaj në SPAK.
Berisha u shpreh se diktaturës ata i kanë dhënë sot goditjen më të rëndë. Ai më tej shtoi se kryehajduti i Tiranës shkoi te Skapi i partisë si kryeinspektori i drejtësisë.
Fjala e plotë:
Miqtë e mi, kur qytetarët e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë, mbarë kombit, pa se si u ngritën në ajër si luanë barrikadat që mbronin horrin. Keni marrë, keni merituar bekimin e mbarë shqiptarëve. Urimin e zemrës së mbarë shqiptarëve. Mosbindja juaj civile, revolta juaj ishte një kryevepër në llojin e vet. Një kryevepër e njerëzve që mbrojnë kauza të drejta.
Është fatlum ai apo ajo që i kushton veten një kauze të drejtë. Dhe ju e patë se çfarë fuqie kishte kauza jonë sot. Ju e patë se si u struk në vrimën e miut, i rrethuar me 500 policë, kryehajni i Tiranës. Ju e patë mirë shpërfytyrimin e tij. Të dashur miq, kam një lajm të mirë për ju dhe për shqiptarët. Duke evokuar protestat e 30 viteve më parë, lajmi i mirë është ky: ju garantoj se këta qeveritarë të sotëm, të kalbur dhe krimbur në krime dhe drogë, kanë humbur çdo sens realiteti më keq se sa nomenklatura komuniste e vitit 1991.
Ju u keni kallur datën, po i lebetitni, po i lemerisni me qëndresën tuaj. Diktaturës i keni dhënë sot goditjen më të rëndë. I keni dhënë sot lebetinë dhe tmerrin më të madh. Miqtë e mi, por sot ishte edhe një ditë siç u thashë, që dëshmoi kalbësirën e plotë dhe totale të narkoshtetit, të narkodrejtësisë, të narkobashkisë. Ju e dëgjuat vetë se si Erion Veliaj u tha shqiptarëve se isha te kolegët dhe bashkëpunëtorët dhe se i përgëzoj se po punonin mirë. Pra, kryehajduti i Tiranës shkoi te Skapi i partisë si kryeinspektori i drejtësisë.
E kuptoni ju vetë se çfarë poshtërimi i bëri ky Skapit të partisë. Ky kryehajdut i bashkisë. Por mos harroni se ky e shprehu haptas: isha te bashkëpunëtorët. Nuk ka të vërtetë më të madhe, vjedhjet i kanë të përbashkëta. Bashkëpunimi i tyre i vetëm është vjedhja, abuzimi dhe mbrojtja e krimit.
Edhe kjo është një pjesë e qenësishme e fitores tuaj sot. Sepse sot, prapë ju hapët sytë edhe shqiptarëve më skeptikë se kush është Erion Veliaj dhe ç’është Skapi i partisë.