AKTUALITET, 13 Mars 2026, 19:38

Berisha akuza qeverisë: Ndërtuan Tunelin e Llogarasë për të vjedhur 50 mln euro me një të rënë të lapsit

Berisha akuza qeverisë: Ndërtuan Tunelin e Llogarasë për

Kryetari i PD, Sali Berisha, mbajti sot në selinë blu një takim me Departamentin e Infrastrukturës, duke marrë shkas nga gjendja e rrugëve, shembja e tyre dhe skandalet korruptive me prokurimet dhe ndërtimin e tyre, pas dosjes “Balluku”.

Ndërsa mori fjalën para të pranishmëve, deputetë, inxhinierë dhe ekspertë, ai hodhi akuza ndaj qeverisë socialiste se në 12 vite ndërtoi rrugë vetëm për të vjedhur bashkë me ndërtuesit shqiptarë, duke sjellë si analogji mijëra kilometra segmente të shtruara në kohën e PD-së me firma evropiane dhe me çmime të lira.

Ai tha se po nisnin një diskutim të gjerë të programit tonë dhe kërkoi hartimin e një plani dhe projekti infrastrukturor kombëtar për të ndërtuar rrugë dhe hekurudha me cilësi, duke e cilësuar si “infrastruktura moderne”. Berisha ironizoi edhe infrastrukturën hekurudhore në kohën e mazhorancës, duke thënë se premtuan Tiranë-Durrës dhe aty kalojnë vetëm karroca.

“Nuk janë ndërtuar 10 km kanale, por janë mbushur edhe ato që ishin, te kanalet e ujërave të bardha etj., etj., ka qenë periudha e batërdisë, e rrënimit të infrastrukturës dhe veprave publike. Kanë 10 vite që flasin për hekurudhën Tiranë-Durrës dhe nuk ka, karrocë ka, edhe pse paguhen 700 punëtorë. Harxhuan shuma përrallore për infrastrukturën nga paratë e shqiptarëve. Kujtoj se me një të tretën e kësaj shumë janë ndërtuar mbi 1 mijë kilometra rrugë. Aty ku rruga ndërtohej me 700 mijë euro, kaloi me dhjetëra milionë euro, aty ku shkolla kushtonte deri në 1 milionë euro, kaloi në 8 dhe 10 milionë euro. Nuk ka krime më të mëdha ekonomike, sesa krimet që u kryen në infrastrukturë”, tha kreu i opozitës.

Ai iu kthye evidentimit të abuzimeve nga mazhoranca socialiste në 13 vite, duke vënë në dukje se “copëtuan çdo vepër publike”, duke përfunduar tek shembjet e të gjitha rrugëve në vend, sepse “janë të etshëm në vjedhje”

“Të etshëm, të papërmbajtur në vjedhje. Këta copëtuan çdo vepër publike dhe çdo rrugë në lote, e ndërro kërkesat nga një lot në tjetrin, pavarësisht se njëri ishte në alpe e tjetri në shkretëtirë, pavarësisht interesave. Sot pas 12 vitesh është tmerrësisht e dhimbshme se përveç 27 km të Rrugës së Arbrit, edhe ato herë shemben e herë nuk funksionojnë, të pyesësh ku janë, ku kanë shkuar? Asnjë nga problemet madhore të transportit nuk mori asnjë përgjigje, përkundrazi, u injoruan në një dënim të vërtetë për qytetarët. Edhe inspektori më i thjeshtë i policisë shqiptare e di se fluksi më i madh i automjeteve hyn nga veriu, hyn nga Muriqani, hani i Hotit dhe Morina, e kjo ka vite kështu. Dhe nga Lezha nuk është ndërtuar asnjë kilometër rrugë, edhe një që u ndërtua në Shëngjin u shemb, edhe pse ajo ka karakter turistik, ka qenë projekt i yni. Shkodra me Tiranën, pra do 3 dhe 4 orë”, vijoi kryedemokrati.

Berisha mori si shembull edhe tunelin e Llogarasë, duke akuzuar se i mohuan edhe turistëve pamjen panoramike në qafën e Llogarasë, vetëm e vetëm që të zhvasnin 50 mln euro.

“U investua në mënyrën më antiekonomike, 220 milionë euro në tunelin e Llogarasë dhe shkurton gjithsej vetëm 13 minuta dhe përjashton për turistin një nga panoramat më të bukura të të gjithë bregut dhe Shqipërisë, që është panorama që hapet në qafën dhe daljen e Llogarasë. Dhe u mor vesh se pse u ndërtua për të futur në xhep me një të rënë të lapsit 50 mln euro”, tha ai.

Kreu i PD foli edhe për shembjet në qarkun e Elbasanit, duke lënë zonën pa një by-pass dhe krijuar kaos në trafikun rrugor. Dhe kjo, sepse sipas tij, “Rama dhe zyrtarët vjedhin bashkë me ndërtuesit shqiptarë”.

“Shembi rrugën Librazhd-Prrenjas dhe nuk ndërtojnë by-pass-in e Elbasanit. Ai përbën një emergjencë, një qytet që tuneli e bashkoi me Tiranën, tani është ferr të kalosh dhe këta shkojnë e ndërtojnë në Dragostunjë, por edhe ajo u shemb. Unë nuk jam kundër të ndërtohet atje, Korridori Tetë, është me rëndësi, nuk them, sepse lidh me Maqedoninë, por ti filloje siç duhet, nga Tirana dil në Elbasan dhe më tej. Rrugët që u ndërtuan në kohën tonë u ndërtuan nga kompani ndërkombëtare evropiane, nga Kakavija deri te Hani i Hotit. Kurse këta kanë zgjedhur të vjedhin dhe të ndajnë para me ndërtuesit shqiptarë, por këta kanë nxirë faqen në mënyrën më të jashtëzakonshme, asnjë prej tyre nuk është përgjegjës sot, asnjë përgjegjësi se kanë ndarë paratë me Edi Ramën, me ministrat, ndaj nuk kapen ata”, nënvizoi lideri i opozitës.

Ndërsa ndau detyrat për Departamentin, Berisha deklaroi se do të mbahej përgjegjësi për të gjitha këto abuzime.

“Ndaj ky departament është në detyrën dhe misionin e tij për të hartuar projekti dhe planin më të mirë për ndërtimin e urbanistikës më moderne, për të përcaktuar përparësitë e mëdha, me të cilat do fillojë që muajt e parë. Kruja nuk është qytet i madh, por është qendër historike dhe turistike, shko në Krujë, shikoni si është! Ne do caktojmë përparësitë tona, ndërhyrje me urgjencë, do mbajnë përgjegjësi të plotë ata që krijuan këtë katastrofë infrastrukturore në Shqipëri, me në krye Edi Ramën. Shqiptarët duan përgjigje”, tha kryetari i PD-së.