AKTUALITET, 29 Mars 2024, 12:30

Beleri dhe Goro në burg, pas tensioneve në Këshillin bashkiak të Himarës, zgjidhet kryetari i komanduar

Beleri dhe Goro në burg, pas tensioneve në Këshillin bashkiak
Goro, Balaj dhe Beleri

Blerina Balaj është zgjedhur kryetare e komanduar e Bashkisë Himarë pas mbledhjes me tensione në Këshillin Bashkiak. Këshilli Bashkiak i Himarës vendosi me votë që nënkryetarja Blerina Balaj të drejtojë bashkinë Himarë deri në zgjedhjet e reja.

Ajo ishte në garë me nënkryetarin e kësaj bashkie Pervin Gjikuria. Koalicioni Bashkë Fitojmë bashkoi votat me Partinë Socialiste për të komanduar nënkryetaren e Bashkisë së Himarës, Blerina Balaj, deri në zgjedhje të reja, pasi dy kryetarët, ai i zgjedhuri Fredi Beleri dhe ai në detyrë, Jorgo Goro janë në burg. Kjo e fundit mori 15 vota pro.

Mbledhja e këshillit bashkiak e cila rinisi në orën 12:00 u mbajt me dyer të mbyllura. Ndërkohë më parë u pezullua pas tensioneve që krijuan mbështetësit e Belerit.

Votimi në Këshillin Bashkiak vjen pas arrestimit të kryetarit në detyrë Jorgo Goro për shpërdorim detyre. Jorgo Goro me një letër nga qelia e burgut drejtuar prefektit të Qarkut dha dorëheqjen nga posti.

Gjithashtu në burg ndodhet edhe Fredi Beleri, kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, i dënuar me 2 vite burg pasi u kap duke blerë votat para zgjedhjeve vendore të 14 majit.

Mbledhja e Këshillit bashkiak të Himarës u shoqërua me tensione të ashpra. Qytetarë dhe mbështetës të Fredi Belerit u futën në ambientet e brendshme të bashkisë Himarë, ku u përplasën edhe me policinë.

Ata kërkuan largimin e prefektit të Vlorës, Vangjel Tavo dhe Sekretarit të Përgjithshëm të PS, Blendi Klosi.

Ndërsa në momentin kur Tavo është larguar, një mbështetës i Fredi Belerit e ka pështyrë në fytyrë atë dhe më pas kanë debatuar edhe me fjalë.

Pas tensioneve të krijuara drejtuesi politik Blendi Klosi dhe prefekti i Qarkut të Vlorës u larguan. Gjithashtu “braktisën” sallën edhe këshilltarët.

Ndërkohë mbledhja u shty për në orën 12:00, pa praninë e qytetarëve, ku u mor edhe vendimi për komandimin në krye të Bashkisë Himarë të Blerina Balajt.