AKTUALITET, 27 Nëntor 2024, 15:43

Presidenti Begaj dekreton ambasadorin e Shqipërisë në Kinë

Presidenti Begaj dekreton ambasadorin e Shqipërisë në Kinë

Presidenti Bajram Begaj dekretoi emërimin në detyrë të zotit Riza Poda si Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën Popullore të Kinës, rezident, dhe Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën Popullore të Bangladeshit, në Republikën Popullore Demokratike të Koresë, në Republikën Socialiste të Vietnamit, në Mongoli dhe në Mbretërinë e Tajlandës, jo rezident.

Poda fillimet në shërbimin diplomatik i ka në vitin 1998 kur emërohet në Ministrinë e Punëve të Jashtme me detyrë drejtor i Zyrës së Përfaqësimit Ligjor të Shtetit Shqiptar në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, zyrë të cilën e themelon.

Më pas punon si përfaqësues i Përhershëm i MPJ-së, pranë Komitetit Drejtues të të Drejtave të Njeriut në Këshillin e Evropës, Strasburg. Gjithashtu kryen disa specializime pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Holandësit dhe të Zvicrës, Këshillit të Evropës etj. Në vitin 2000 emërohet shef i Misionit Diplomatik të Shqipërisë në Kanada.

Në periudhën kohore 2011-2014 kryen detyrën e Konsullit të Përgjithshëm të Shqipërisë në Selanik. Ndërsa në vitet 2014-2018 atë të Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Republikën Ceke.

Më pas ka shërbyer si Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republiken e Kroacisë (rezident) dhe në Republiken e Bosnjes dhe Hercegovinës (jo rezident).