AKTUALITET, 16 Prill 2024, 16:33

Basha në KiE: Rusia duhet të paguajë për luftën në Ukrainë, vendimi të shërbejë si pengesë ndaj çdo agresioni

Basha në KiE: Rusia duhet të paguajë për luftën në

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha mbajti fjalën e tij sot në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës ku ka kërkuar votën e anëtarëve për rezolutën e Rindërtimit të Ukrainës. “Ndërsa Rusia vazhdon të kryejë luftën e saj shkatërruese dhe krime lufte në Ukrainë, është e qartë që Ukraina ka nevojë për ndihmë të madhe për të adresuar dëmet dhe shkatërrimet dhe për të rindërtuar infrastrukturën e saj. Qeveria ruse duhet të mbajë përgjegjësi për kompensimin e humbjeve njerëzore dhe materiale që ka shkaktuar. Rusia duhet të mbahet përgjegjëse për shkatërrimin e Ukrainës” ka theksuar në fjalën e tij zoti Basha.

Më tej, kryedemokrati propozoi ngritjen e një fondi ndërkombëtar ku të depozitohen asetet e konfiskuara të Rusisë. “Ne kërkojmë ngritjen e një fondi ndërkombëtar, ku do të depozitohen të gjitha asetet shtetërore ruse të konfiskuara, duke siguruar transparencën, përgjegjësinë dhe drejtësinë në shpërndarjen e fondeve që duhet të përdoren për kompensimin për Ukrainën dhe personat e prekur nga agresioni rus në Ukrainë, si dhe për të ndihmuar në përpjekjet për ringritjen dhe rindërtimin e Ukrainës. Dhe ne mbështesim themelimin e një komisioni ndërkombëtar për pretendimet mbi dëmet e renditura në Regjistër, nën ombrellën e Këshillit të Europës”, - shtoi kryedemokrati.

Ndër të tjera, Basha theksoi se Rusia duhet të paguajë për atë çfarë ka shkaktuar në Ukrainë dhe se vendimet e sotme duhet të shërbejnë si pengesë ndaj çdo agresioni të mundshëm në të ardhmen. “Teksa përjetojmë një moment të rëndësishëm në shekullin e 21-të, ne po ndërmarrim veprime të përbashkëta për të ruajtur dhe përforcuar bashkëpunimin tonë kundër luftës së paligjshme të agresionit të Rusisë. Me votën tonë sot ne rikonfirmojmë se mbetemi të palëkundur në qëllimin tonë: të forcojmë Ukrainën në mënyrë që pasojat – duke përfshirë dhe ato financiare – të agresionit rus, të shërbejnë si pengesë ndaj çdo agresioni të ardhshëm, dhe të mbështesim Ukrainën për aq kohë sa do të duhet, për të mposhtur plotësisht dhe pa kushte agresionin rus”,- u shpreh Basha në fjalën e tij.