AKTUALITET, 12 Janar 2025, 17:23

Bardh Spahia nxjerr dokumentet: Projektet e Shkodrës janë të trashëguara nga PD

Bardh Spahia nxjerr dokumentet: Projektet e Shkodrës janë të

Anëtari u kryesisë së PD, Bardh Spahia publikoi disa fakte që hedhin poshtë deklaratën e Ministres së Arsimit Ogerta Manastirliu se për Postribën bashkia e Shkodrës kishte aplikuar tani për herë të parë. Ish kryebashkiaku Spahia tha se gjithçka është propagandë dhe mashtrim, pasi, gjatë drejtimit të Bashkisë prej tij dhe drejtuesve të tjerë para tij janë dorëzuar në Ministrinë e Arsimit dhjetëra projekte, ndërsa vetëm për 1 vit projekte për 4 shkolla. “Vetëm për vitet 2022-2023, kemi aplikuar në ministrinë që ajo drejton projektet për rikonstruksionin e shkollës “Kole Idromeno”, si dhe projektet për terrenet sportive të shkollave “Ndre Mjeda”, “Dëshmorët e Prishtinës” dhe “Prenk Jakova” në qytet, si dhe “Adem Haxhija” në njësinë administrative Postribë.”- u shpreh zoti Spahia. Ish kryebashkiaku vuri në dukje se punët që sot po shiten si të kryebashkiakut aktual janë të gjitha vizion i drejtimit të bashkisë nga ana e PD, të finalizuara në këtë kohë, për shkak te pengesave të shumta politike nga qeveria. Ai solli edhe rastin e tregut të Rusit, me të cilin u mburr Edi Rama, duke thënë se është një projekt i gjetur i gatshëm, si edhe disa të tjera, që tani përvetësohen duke mashtruar shkodranët. Sipas Bardh Spahisë, gjëja e re që kanë sjellë grabitësit e pushtetit në Shkodër është aleanca me krimin, që udhëheq bashkinë dhe ka marrë peng kryebashkiakun me pasuri te pajustifikuara nga afera korruptive.

Postimi i plotë

Janë mësuar të gënjejnë dhe nuk hezitojnë ta bëjnë sa herë dalin përpara shqiptarëve. Modeli i tyre është vetëm një, ai i një bande të organizuar kriminale që ka marrë peng të ardhmen e Shqipërisë dhe vetëm grabit qytetarët me projekte korruptive. Krah shefit të saj, me të njëjtën gjuhë, ministrja e arsimit Ogerta Manastirliu tentoi të mashtrojë sërish shkodranët, kur deklaroi nga Postriba se për herë të parë Bashkia Shkodër po aplikon për projekte të reja. Ministrja e mashtrimit e cila të vetmet suksese të veta dhe qeverisë së saj ka përgjakjen e oborrit të shkollës në mes të Tiranës apo mbylljen e 4 shkollave në Shkodër nga mungesa e nxënësve, duhet ta dijë mirë se gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra dhe për t’ja freskuar kujtesën, e ftoj të hapë letrat në zyrën e saj, të gjitha të protokolluara me firmën time dhe paraardhësve të mi, ku dhjetra projekte rezultojnë të dorëzuara nga Bashkia Shkodër. Vetëm për vitet 2022-2023, kemi aplikuar në ministrinë që ajo drejton projektet për:

1. Rikonstruksionin e shkollës “Kole Idromeno”
2. ⁠Terrenet sportive të shkollave “Ndre Mjeda”, “Dëshmorët e Prishtinës” dhe “Prenk Jakova” në qytet, si dhe “Adem Haxhija” në njësinë administrative Postribë.

Pra as më shumë dhe as më pak, por inaugurime të projekteve dhe punëve të kryera prej nesh, që sot trashëgohen dhe shiten si suksese të njeriut që u ul në karrigen e kryebashkiakut nga krimi elektoral dhe bandat që e mbështeten. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me tregun e Rusit, një tjetër projekt i finalizuar dhe aplikuar në kohën kur Bashkia Shkodër drejtohej nga PD. Ndriçimi LED i 11 rrugëve të Shkodrës, izolimi termik i fasadave të pallateve e shume projekte të tjera që sot tentohen të përvetësohen nga ata që nuk dijnë të bëjnë asgjë tjetër, përvec aleancës me krimin, grabitjen dhe tjetërsimin e parave publike, duke shpërfillur qytetarët. Edi Rama, ministrat dhe kryebashkiakët e tij, janë simboli i të keqes që ka pllakosur vendin tonë dhe që me 11 Maj do të marrin përgjigjen e merituar nga shqiptarët!