AKTUALITET, 14 Shkurt 2026, 11:42

Banorët e Rrjollit protestojnë kundër resortit turistik, përplasen me policinë dhe bllokojnë punimet

Banorët e Rrjollit protestojnë kundër resortit turistik,

Banorët e fshatit Rrjoll të Velipojës kundërshtuan edhe sot punimet për ndërtimin e një resorti turistik në Baks-Rrjoll.

Prej disa ditësh banorët po protestojnë kundër ndërtimit të resortit, duke pretenduar se tokat ku po realizohet investimi janë pronë e tyre dhe se po cenohen pa një proces të rregullt ligjor.

“Kjo është toka jonë, na e kanë lënë të parët tanë”, u shpreh një prej tyre, ndërsa pati përplasje me policinë.

Ndërkohë një proces gjyqësor për pronësinë e truallit është ende në shqyrtim në Gjykatën e Apelit në Tiranë. Banorët shprehen se e kanë me letra tokën dhe nuk do ta lejojnë të ndërtohet resorti në këtë zonë.

Banorët e fshatit Rrjoll kanë protestuar edhe Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ku bënë thirrje për drejtësi si dhe para Kuvendit. Qytetarët u bënë thirrje deputetëve që t’i mbështesin në këtë kauzë në mbrojtje të pronave të tyre.

Projekti parashikon ndërtimin e një kompleksi turistik me një sipërfaqe rreth 146 hektarë në zonën e Rrjollit (Shkodër), i cili konsiderohet si një nga investimet më të mëdha turistike në vend.