AKTUALITET, 24 Dhjetor 2024, 14:36

Bankat japin më shumë hua për turizmin/ Këshilli i Investimeve: Bizneset po marrin kredi për zgjerim të aktivitetit

Bankat japin më shumë hua për turizmin/ Këshilli i

Bankat janë më të gatshme të mbështesin me financim bizneset që operojnë në sektorin e turizmit. Këshilli i Investimeve ka publikuar disa anketa ku theksohet se të gjitha bankat janë të gatshme 100% të japin  hua për akomodiminose ndërtimin e hoteleve e ndikuar kjo nga fluksi turistik që Shqipëria ka pritur gjatë këtij viti.

Por sektorë të ndryshëm shfaqin nevoja të veçanta financimi që përputhen me kërkesat e tyre specifike operacionale. Në këtë mënyrë bizneset që fokusohen tek turizmi kërkojnë kryesisht financim për ndërtime të reja, ndërsa sektori i ndërtimit fokusohet në financimin e inventarit dhe teknologjisë. Në mënyrë të ngjashme, sektori industrial thekson nevojën për përmirësime teknologjike dhe po ashtu edhe Bujqësia.

Në përgjithësi, objektivat parësorë për të kërkuar fonde kreditimi përfshijnë përmirësimin e teknologjisë, kapitalin qarkullues dhe sipërmarrjet e reja të biznesit. Kompanitë e mëdha përqendrohen në teknologji dhe pasuri të paluajtshme, ndërsa ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme i japin përparësi nevojave operacionale dhe inovacionit.

Për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, kolaterali luan një rol më të rëndësishëm në sigurimin e financimit, duke reflektuar nevojën e tyre të shtuar për siguri. Normat e interesit, kolaterali dhe transparenca konsiderohen si faktorë kyçë kritikë që ndikojnë në vendimet e kreditimit nga këndvështrimi i bizneseve.