BOTA, 6 Mars 2024, 11:30

Bandat kërcënojnë me luftë civile në Haiti, sulmojnë një aeroport për të ndaluar kthimin në vend të kryeministrit

Bandat kërcënojnë me luftë civile në Haiti,

Haiti është zhytur në kaos pasi mungesa e kryeministrit de facto Ariel Henri, i cili ndodhet jashtë vendit, ka ndezur një cikël të ri të përshkallëzimit të dhunës, me bandat që kërcënojnë luftën civile, gjenocidin dhe “ferrin për të gjithë” në vend.

Sipas BBC , ushtarët janë vendosur për të mbrojtur aeroportin e kryeqytetit Port-au-Prince nga sulmet e bandave. Sipas rrjetit britanik, të shtëna me armë zjarri u dëgjuan pranë aeroportit Toussaint Louverture ndërsa anëtarët e forcave të sigurisë u përleshën me persona të armatosur.

Bandat synojnë të parandalojnë kthimin e Henrit, i cili është larguar prej ditësh pasi dhuna në vendin e tij është përshkallëzuar në mënyrë dramatike që nga java e kaluar.

Henri zbarkoi dje në Porto Rico, njoftoi zëdhënësja e guvernatorit të këtij territori amerikan në Karaibe, duke sqaruar se nuk e di nëse ai është ende në ishull.

Departamenti i Shtetit kishte raportuar të hënën se Ariel Henri po kthehej nga Kenia, por, sipas informacioneve të Radio Tele Metronome të Haitit, ai nuk mundi të mbërrinte në Port-au-Prince për shkak të problemeve të sigurisë në aeroportin e kryeqytetit.

Haiti, vendi më i varfër në hemisferën perëndimore, mbetet i zhytur në një krizë serioze politike, humanitare dhe të sigurisë, e përkeqësuar nga vrasja e presidentit Jovenel Moise në vitin 2021. Procesi politik është në një ngërç absolut.

Sipas OKB-së, më shumë se 8,400 njerëz u bënë viktima të bandave vitin e kaluar, ky numër përfshin vrasjet (gati 5,000), plagosjet dhe rrëmbimet. Viktimat u rritën “me 122% krahasuar me vitin 2022”.