AKTUALITET, 28 Nëntor 2024, 23:07

Banda e Elbasanit/ Zhabina: Suel Çela paguante 500 mijë euro për një vrasje. Bregu: Mjeshtër për korruptimin në nivel lokal

Banda e Elbasanit/ Zhabina: Suel Çela paguante 500 mijë euro

Gazetarët Xhevahir Zhabina dhe Sokol Bregu, të ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, treguan detaje nga banda e drejtuar prej Suel Çelës në Elbasan dhe ngjarjet kriminale të saj, ndërsa sipas Bregut, Suel Çela, është personazhi më i zgjuar në krimin shqiptar, që korrupton në nivelin lokal, të gjithë gjyqtarët, njeh ligjet, ndihmon çdo anëtar, për të mos patur probleme me ligjin.

Xhevahir Zhabina: Objektivi kryesor i organizatës janë tre, Ardjan Çapja, Bledar Muça, Elvis Korcari. Për ekzekutimin e Ardjan Capjas, organizatës së Suel Celës iu desh dy vite për ta vënë në zbatim. Për dy vite, identifikuan vendet ku shkonte objektivi, e survejuan. Por, Ardjan Çapja mundi të shpëtojë. Personi tjetër më i rëndësishëm ishte Bledar Muça, personi kryesor që merrej me trafikun e lëndëve narkotike dhe ishte i vendosur në Belgjikë. Për Bledar Muçën, grupi i Suel Celës ishte gati të paguante 500 mijë euro.

Ka patur edhe një tentativë për ta vrarë në Elbasan, ku do të inskenohej një sherr dhe aty do ta qëllonin, por zoti Muça nuk arriti të shkojë në vendngjarje.

I treti person është Elvis Korçari, ka një detaj interesant, ata kanë survejuar familjen Çapja, nga familja Capja ka dalë një ambulancë, dyshohej se ishte Ardjan Çapja aty dhe do të shkonte në Tiranë. Nuk është bërë i mundur ekzekutimi i Korçarit, që mendohej se ishte me Çapjan.

Në media u tha se Bujar Shega merrej me financat, por në fakt, ata janë pjesë, por janë të pavarur nga njëri-tjetri. Në dosje del që Bujar Shega është më i rëndësishëm në trafikun e narkotikëve.

Sokol Bregu: Në të gjitha faktet që kam lexuar, për mua për herë të parë lexoj një dosje që e konsideroj personazhin në fjalë, të vetmin mafioz në Shqipëri. Njeriu që ka krijuar organizatën e tij me çdo lloj detaji të mundshëm. Merr përsipër detyrat funksionale brenda organizatës. Personazhi kryesor, një njeri që nuk ka intriga në krim, por një funksionim për t’i shkuar deri në fund krimeve të tij.

Krahasuar me të gjithë ato organizata të tjera, që kanë intriga dhe thërrasin shokët e tyre për t’i vrarë, këtu kemi një organizatë ndryshe. Një organizatë që na është thënë ka miliona euro, por në fakt nuk ka. Është e bazuar në një qëllim, ekzekutimin e kundërshtarëve, që nuk kuptohet nga buron. Për mua, Suel Çela, është personazhi më i zgjuar në krimin shqiptar.

Është mjeshtër për të korruptuar dhe për të mbajtur në nivelin lokal, të gjithë gjyqtarët, njeh ligjet, ndihmon çdo anëtar, për të mos patur probleme me ligjin.