AKTUALITET, 27 Qershor 2026, 15:23

Ballkani “në darën” e të nxehtit/ Vala afrikane afrohet mbi rajon, në fundjavë deri 39 gradë celsius

Ballkani “në darën” e të nxehtit/ Vala afrikane

Vala e të nxehtit ekstrem që ka goditur Europën Perëndimore po përparon drejt Ballkanit duke vënë nën alarm të kuq pjesën më të madhe të rajonit ndërsa autoritetet kanë lëshuar paralajmërime për rrezikun ndaj shëndetit të qytetarëve.

Sipas të dhënave më të fundit nga shërbimet meteorologjike europiane, temperaturat në Serbi, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë-Hercegovinë dhe Mal të Zi pritet të arrijnë deri në 39 gradë Celsius përgjatë fundjavës dhe do të mbeten në nivele shumë të larta të paktën deri të hënën.

Agjencia MeteoAlarm ka vendosur alarmin e kuq për pjesën më të madhe të bregdetit Adriatik, ndërsa Kroacia dhe Serbia kanë lëshuar paralajmërime të posaçme për qytetarët, duke rekomanduar shmangien e ekspozimit në diell gjatë orëve të pikut dhe konsumimin e vazhdueshëm të ujit.

Edhe Shqipëria pritet të përballet me temperatura shumë më të larta se mesatarja sezonale për fundin e muajit qershor. Termometri pritet të kalojë 37 gradë celcius ndërsa përgjatë mbrëmjeve edhe në zonat me veriore të vendit temperaturat nuk do të zbresin nën 20 gradë celcius.

Organizata Botërore Meteorologjike ka bërë të ditur se vala e nxehtësisë, e cila fillimisht goditi Europën Perëndimore, po zhvendoset gradualisht drejt Europës Qendrore dhe Ballkanit. Sipas parashikimeve, temperaturat në rajon do të jenë nga 3 deri në 10 gradë Celsius më të larta se mesatarja normale për këtë periudhë të vitit.

Meteorologët theksojnë se fenomenet e tilla po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më intensive si pasojë e ndryshimeve klimatike, ndërsa autoritetet shëndetësore u bëjnë thirrje të moshuarve, fëmijëve dhe personave me sëmundje kronike të tregojnë kujdes të veçantë gjatë ditëve në vijim.