AKTUALITET, 15 Prill 2026, 20:48

Balla nga Vora: Integrimi në BE, sfida që mbyllet në 2030

Balla nga Vora: Integrimi në BE, sfida që mbyllet në 2030

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Tiranës, Taulant Balla, së bashku me zëvendëskryeministren Albana Koçiu, zhvilluan një bashkëbisedim me qytetarët në Vorë, ku në fokus ishte integrimi europian dhe zhvillimi i vendit.

Në fjalën e tij, Balla theksoi objektivin strategjik të anëtarësimit në Bashkimi Europian, duke e cilësuar atë si sfidën më të madhe për Shqipërinë. “Shqipëria 2030 në BE – kjo është sfida e sfidave, jo për ne, por për një forcë politike që gjendet me fatin e vendit në duar, që ne të mbyllim një varg kapitujsh të historisë duke vulosur përkatësinë europiane të Shqipërisë edhe duke siguruar anëtarësimin në Bashkimin Europian”, u shpreh ai.

Sipas Ballës, vendi ndodhet në një moment kyç dhe është më pranë se kurrë realizimit të këtij objektivi, duke e lidhur integrimin europian drejtpërdrejt me përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Ai nënvizoi gjithashtu rritjen ekonomike dhe të ardhurat nga sektorë si turizmi, që sipas tij kanë krijuar më shumë mundësi për investime dhe zhvillim në nivel vendor.

Në vijim, Balla u ndal edhe te procesi i rindërtimit pas tërmetit të vitit 2019, duke garantuar përfundimin e tij të plotë në Vorë. “90% e procesit të rindërtimit në Vorë ka përfunduar. Edhe familjet e mbetura do të përfitojnë shumë shpejt nga banesat e reja. Do ta mbyllim 100% procesin e rindërtimit në Vorë”, theksoi ai.

Në përfundim, Balla falënderoi qytetarët për mbështetjen, duke theksuar se sfida e integrimit europian dhe zhvillimit ekonomik kërkon bashkëpunim të gjerë dhe angazhim të vazhdueshëm nga të gjitha nivelet e qeverisjes.