AKTUALITET, 16 Shkurt 2023, 21:37

Artan Hoxha: Sekuestrimi i pronave të Ervis Martinajt, vendim i çuditshëm, është i vetmi që hetohet edhe si i gjallë edhe si i zhdukur

Artan Hoxha: Sekuestrimi i pronave të Ervis Martinajt, vendim i
Fotomontazh: Artan Hoxha dhe Ervis Martinaj

Gazetari investigativ Artan Hoxha, duke komentuar urdhërin e sekuestrimit të pronave të Ervis Martinajt, deklaroi në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” se kjo lëvizje e drejtësisë është e çuditshme që ndodh në këtë momente, sepse ndaj tij ka dy hetime të ndryshme, ku ai kërkohet edhe si e gjallë, por edhe si i zhdukur.

“Më në fund SPAK-u ka vendosur të sekuestrojë një pjesë të atyre pronave që ka gjetur deri tani të Ervis Martinajt dhe të familjes së tij, përfshirë motrat, prindërit dhe fëmijët, duke filluar nga makina “Smart” deri te hoteli. Është një seri e gjatë pronash që janë evidentuar deri tani. Ajo që është e çuditshme në këtë është se edhe në këtë moment që ne flasim, ai është zhdukur më 9 gusht 2022, nuk ka një përgjigje zyrtare se çfarë ka ndodhur me të. Për shkak të këtij fakti ne kemi dy hetime: një nga SPAK-u që e ka në hetim, në kërkim se ky kishte financuar një atentat 500 mijë euro për të vrarë Indrit Doklen dhe ky është pjesë e operacionit “Plumbi i artë”, mbi deklarimet që ka dhënë Nuredin Dumani, ndërkohë që prokurori i Kurbinit ka nën hetimin zhdukjen e këtij personi.

Pra 6 muaj më pas ne kemi dy hetime, një prokurori e heton për të gjallë që ka porositur një atentat 500 mijë euro që s’është ende e provuar, por Nuredin Dumani thotë se na ka dhënë 100 mijë paradhënie, na ka premtuar 500 mijë, por na ka thënë sa të doni vetëm mbarojeni këtë punë. Ndërsa prokuroria tjetër e heton se është rrëmbyer dhe është zhdukur. Ndaj vijmë në këtë situatë kur prokurori i Kurbinit urdhëroi kontrollin e banesës para dy muajsh kur gjetën armët te kosheret e bletëve.

Ajo që më bën përshtypje më shumë se sekuestrimi i pronave është fakti që organi i hetimit në Shqipëri ka dy çështje të ndryshme për të njëjtin person. Zyrtarisht Ervis Martinaj është personi më i kërkuar në Shqipëri, edhe pse unë mendoj se nuk do ta gjejnë ndonjëherë”-tha gazetari Hoxha.