AKTUALITET, 4 Maj 2024, 14:32

“Arrestohet sot, arrestohet nesër…”/ 95% e parashikimeve të ekspertëve “fallxhore” në studio televizive, të pasakta

“Arrestohet sot, arrestohet nesër…”/ 95% e parashikimeve

Në mediat shqiptare ka nisur një trend i ri, nxitur nga aktiviteti i shtuar i SPAK dhe dosjet e bujshme ndaj zyrtarëve.

Një grup “fallxhoresh”, që prezantohen si ekspertë nëpër ekrane, japin parashikime se kur do të arrestohen zyrtarë të caktuar. Përshembull, për Ilir Metën, ka shumë muaj që parashikohet arrestimi, madje me ditë dhe data konkrete.

Eduard Zaloshnja ka bërë një verifikim të këtyre parashikimeve dhe i ka rezultuar se 95% e tyre të janë të pasakta.

Reagimi i Zaloshnjës:

Pasi lexova shkrimin “Kronikë e një arrestimi të paralajmëruar” të Lutfi Dervishit, të botuar në disa portale, mora shtysën (mora spunton, thuhet nëpër studio televizive) të bëj një analizë sasiore rreth temës që Dervishi e kishte qëndisur në mënyrë cilësore (me ironinë e tij vazhdimisht të hollë). Thelbi i shkrimit të Dervishit: Parashikimet boshe të gazetarëve/analistëve nëpër studio televizive rreth arrestimeve të pritshme të SPAK-ut.

Me ndihmën e specialistit IT që realizon anën teknike të sondazheve të shpeshta që zhvilloj, analizova në internet 100 parashikime që kanë bërë gazetarë/analistë nëpër studio televizive vitet e fundit rreth arrestimeve të pritshme të SPAK-ut. Dhe plot 95% e parashikimeve të tyre rezultuan të dështuara – ndër to, 90% plotësisht të dështuara!

Pra për 90 parashikime nga gazetarë/analistë të ndryshëm, rezultoi se personat e parashikuar që do të arrestoheshin me kërkesë të SPAK-ut janë ende të lirë. Në 5 raste janë arrestuar ose janë vënë në arrest shtëpie personat publikë të parashikuar, por goxha më vonë se sa u parashikuan nga gazetarët/analistët nëpër studio televizive. Ndërsa vetëm 5% e parashikimeve (të bëra nga më pak se 5% e gazetarëve/analistëve parashikues) kanë qenë në kohën e duhur dhe për personin e duhur.

SHËNIM: Parashikimet e politikanëve për arrestimet e kundërshtarëve respektivë nuk i analizuam, sepse do të na duhej një kohë e pafundme për t’u marrë me to.