AKTUALITET, 15 Qershor 2026, 23:37

Arlind Qori: Protesta, kundër establishmetit të vjetër politik dhe oligarkisë që zhvat gjithçka

Arlind Qori: Protesta, kundër establishmetit të vjetër politik

Kryetari i partisë “Lëvizja Bashkë”, Arlind Qori, duke komentuar protestën që sot hyri në ditën e 16-të u shpreh se ajo është protestë kundër establishmentit politik, oligarkisë dhe shprehje e pakënaqësisë së thellë të popullit kundër modelit qeverisës.

“Përveçse përditë në protestë, kam qenë edhe në Zvërnec që ka qenë pika që derdhi gotën në këtë sistem të vjetër. Isha edhe në Rrjoll. Detyra e një partie është të jetë atje ku nuk është dot populli. Askush nuk ka pse merr merita për këtë protestë.

Po them tre parrulla që mishërojnë bashkimin e kaq shumë njerëzish. Po të ishte protestë partiake do të ishte shumë më e vogël.

Të gjithë protestuesit, e dallojnë nga masiviteti i disa thirrjeve, tre janë ato që bashkojnë të gjithë, dorëheqja e Ramës, Rama n'burg Berisha n'burg dhe revolucion. Dorëheqja e Ramës është e vetëkuptueshme, është kryeministri që mishëron më të keqen, më të ligën, korrupsionin oligarkinë ekonomike, krimin e organizuar.

Zoti Rama i ka vënë gjoksin këtij procesi, ndërkohë SPAK po thotë pastrohen qindra milionë euro nga gangsterë dhe oligarkë.

Thirrje “Rama në burg, Berisha në burg”, shpreh pakënaqësinë e popullit, ndaj establishmentit të vjetër partiak, nuk të fut populli në burg por institucionet, por thirrja është akuzë për aktet keqbërëse të qeverisjeve.

Thirrja revolucion nënkupton ndryshim rrënjësor dhe të gjithëanshëm.

Në protestë nuk është thyer asnjë xham. Në protesta të ngjashme, në vende demokratike, në perëndim, çfarë nuk ndodh. Protestuesit në Shqipëri janë një leksion demokracie.

Shumica e pjesëmarrësve janë vajza, gra, fëmijë, prindër të rinj. Ata që kryeministri quan hajvanë dhe fashistë. E para herë, që një masë protestuesish me këtë përbërje quhen fashistë. Kush ka lexuar histori edhe një paragraf, e kupton se kjo masë qytetarësh është e kundërta e fashizmit.

Është protestë kundër oligarkisë, pasi në bashkëpunim me krimin, zhvasin buxhetin, pastrojnë para, zhvasin qytetarët, plazhet publike, pyjet, lumenjtë, parqet. Është edhe protestë kundër mediave të oligarkisë. Shumica e TV ditët e para kanë heshtur. TV e oligarkëve kanë heshtur. Sot që flasim shumica e TV i shërbejnë pushtetit të korruptuar.

Është edhe aspiratë e madhe, për një Shqipëri të re, në kuptimin e mënyrës se si duhet të funksionojnë institucionet”- tha Qori.