TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Arlind Qori, drejtues i "Lëvizja bashkë”, tha në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” se i ashtuquajturi revolucion që premton opozita shqiptare është për të ndryshuar qeverinë, por jo mënyrën e qeverisjes në vend. Qori e ilustroi këtë me ligjërimin politik të PD-së e cila nuk përmend asnjëherë, asnjë emër oligarkësh.
“Revolucioni nuk është gosti, nuk është vepër letrare, vizatim apo qëndisje e bukur. Revolucioni është një akt dhune, është veprim i pamëshirshëm i një klase që rrëzon pushtetin e një klase tjetër. Ai kërkon një transformim të madh të shoqërisë dhe si të tillë janë të rallë, si ai francez, rus etj. PD-ja më tepër e ka për revolucionin politik, se nuk besoj që i ka lënë mendja të kërkojnë një revolucion shoqëror. Revolucionet politike nuk rrëzojnë një qeveri, por një mënyrë qeverisjeje, pra transformojnë sistemin politik, pa rrëzuar doemos sistemin ekonomik. Mesa kuptoj unë PD-ja do që të rrëzojë qeverinë, por jo të ndryshojë mënyrën e qeverisjes, sepse kjo e sotmja është vazhdim i mënyrës së djeshme të qeverisjes.
Revolucionet mund të prodhojnë trauma, tronditje të mëdha në shoqëri dhe njerëzit që janë shumë të pasur dhe shumë të pushtetshëm nuk i kanë qejf revolucionet, sepse kur ndodh, kemi një masë të madhe njerëzish në rrugë që radikalizohen, që dalin nga kontrolli dhe ti nuk e gëzon vilën në Surrel, në Lalz. Revolucioni është një përbindësh i pakontrolluar që të merr përpara, të merr vilën, pallatin, sponsorëve u merr hotelet, gjithçka. Revolucioni për ata që luajnë me fjalën dhe që hedhin fjalë pa doganë, mund të jetë i rrezikshëm.
PD dhe Berisha nuk e kanë seriozisht, e kanë simulim. Mirëpo ata kanë kuptuar se pakënaqësia në popull dhe shoqëri sa vjen e rritet dhe njerëzit radikalizohen ndaj dhe politikanët radikalizohen në gjuhë.
Njeriu i thjeshtë radikalizohet në mendimet dhe ndjenjat e veta se nuk i del fundi i muajit, kurse politikani radikalizohet me fjalë, është pseudoradikalizim, se do të ndodhë një minimum ndryshimi ai i njerëzve që janë në pushtet, pa ndryshuar mënyrën e qeverisjes. Vini re ligjërimin e opozitës. Nuk përmend asnjëherë, asnjë emër oligarkësh. Thotë se oligarkët janë njerëz të shkretë që ka krijkuar Edi Rama, duke i bërë me zor miliarderë,. Kjo është absurde, mirëpo i duhet t’i ruajë oligarkët. Politikanët ikin dhe vijnë, por oligarkët mbeten, pasurohen dhe pasurohen dhe sot kanë një pasuri për të blerë çdo aktor parlamentar dhe sot askush nuk guxon që jo t’i kritikojë, por edhe t’u përmendë emrin. Është një omerta, gati mafioze”-tha Qori.