AKTUALITET, 18 Prill 2024, 12:12

Anëtarësimi me detyrim në Dhomën Ekonomike Kombëtare/ Rithemelimi kundër projektligjit të qeverisë: Mbështesim shqetësimin e 19 Shoqatave! Nismë e pakonsultuar

Anëtarësimi me detyrim në Dhomën Ekonomike Kombëtare/

Anëtari  i Këshilli Kombëtar të Partisë Demokratike të udhëhequr nga “Rithemelimi”, Akil Kraja në një deklaratë për mediat shprehet se PD është kundër projektligjit për anëtarësim me detyrim në Dhomën Ekonomike Kombëtare.

Ai shton se PD shpreh mbështetjen publike ndaj qëndrimit të 19 Dhomave të Tregtisë që operojnë në Shqipëri.

Sipas tij ky projektligj është i pakonsultuar me grupet e interesit dhe që parashikon krijimin e një Dhome Ekonomike Kombëtare.

DEKLARATË E ANËTARIT TË KËSHILLIT KOMBËTAR TË PD, AKIL KRAJA:

Partia Demokratike e Shqipërisë shpreh mbështetjen publike ndaj qëndrimit të 19 Dhomave të Tregtisë që operojnë në Shqipëri, ku përfshihet Dhoma Amerikane e Tregtisë (AMCHAM), Dhoma Gjermane e Tregtisë në Shqipëri (DIHA), Dhoma e Tregtisë Italiane në Shqipëri (ÇIA), Dhoma Franceze e Tregtisë në Shqipëri, Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA) etj.

Një projekt ligj i radhës, edhe ky i pakonsultuar me grupet e interesit, parashikon krijimin e një Dhome Ekonomike Kombëtare, anëtarësimi në të cilën do të jetë i detyrueshëm për çdo biznes. E detyrueshme po kështu dhe kuota e anëtarësimit, e cila parashikohet në bazë të xhiros vjetore dhe do të vendoset nga Ministri i linjës.

Rikujtojmë që Dhomat e tregtisë publike janë të organizuara me ligj i cili daton vitet 2006-2008, kohë në të cilën vendi ishte nën qeverisjen e Partisë Demokratike. Nxitur nga kriteret e Bankës Botërore dhe indeksi i Doing Business, anëtarësimi në këto dhoma u bë vullnetar për çdo biznes. Banka Botërore dhe indeksi i Doing Business e konsideron si një taksë të fshehur dhe një pikë negative, anëtarësimin e detyrueshëm të bizneseve në një Dhomë tregtie publike. Ndër shumë reforma të tjera, edhe kjo nismë çliruese për sipërmarrjen i mundësoi Shqipërisë të përmirësonte disa dhjetëra pozicione atraktiviteti në renditjen e Bankës Botërorë.

Mjerisht, prej vitit 2013, situata është në tatëpjetë. Shqipëria tanimë renditet ndër vendet e fundit në Ballkan. Biznesi shqiptar ka vuajtur jo vetëm dyfishimin e taksave nga braktisja e taksës së sheshtë 10%, por dhe nga shtimi i tarifave dhe taksave të fshehura, si kjo që parashikohet të futet në projekt ligjin që krijon Dhomën Ekonomike Kombëtare. Le të shtojmë këtu edhe se, me ndryshimet jashtëzakonisht të shpeshta të normave dhe praktikave fiskale, sot një biznes i ri e ka të pamundur të ketë një parashikueshmëri se çfarë do t’i paguajë shtetit jo pas 2-3 vitesh nga investimit fillestar, por as në 6 muajt e parë.

Përtej aspektit ekonomik, projektligji parashikon se do të jetë Ministri i linjës i cili do të aprovojë statutin e Dhomës Ekonomike Kombëtare e cila do të financohet nga shteti për së paku dy vitet e para. Kjo do të thotë qartazi një nënshtrim politik të Dhomës. Në vend që të kthehet në një mjedis federues, mbrojtës dhe promovues i interesave të biznesit privat shqiptar, Dhoma në modelin e paraqitur në projekt ligj rrezikon të kthehet në një kafaz të mbyllur ku jehonë do ti behët propagandës së investitorëve strategjikë të qeverisë, si kompania 5D, dhe jo nevojave reale të bizneseve shqiptare.

PD mbështet nevojën për rishikimin e funksionimit të Dhomave të tregtisë publike, por jo duke imponuar tarifa e anëtarësime të detyrueshme. Përkundrazi, PD nxit delegimin e më shumë kompentencave nga Shteti drejt Dhomave të tregtisë publikë duke u siguruar më shumë mundësi për të ofruar shërbime të reja biznesit shqiptar, ashtu siç kjo ndodh në shumë vende të Bashkimit Europian.

Kjo qeveri është qartazi armike e biznesit shqiptar dhe kjo duhet të marrë fund sa më parë.

Të vetmin biznes që Rilindja mbështet janë kompani të tipit 5D të cilat i japin fondet e shtetit vetes dhe me to kryejnë punë private.