AKTUALITET, 25 Prill 2024, 21:55

Andi Tela: Rama u kap pas fijes së kashtës për dokumentarin e RAI3, po sjell vërdallë Italinë dhe Shqipërinë

Andi Tela: Rama u kap pas fijes së kashtës për dokumentarin e

Gazetari Andi Tela deklaroi në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV se historia e dokumentarit të transmetuesit publik italian RAI3 për marrëveshjen Rama-Meloni për emigrantët që do të sillen në Shqipëri, do të mbyllej të nesërmen, nëse kryeministri Rama nuk do të ndërhynte kaq fort për të mbrojtur sekretarin e përgjithshëm të kryeministrisë, Engjëll Agaçi. Tela tha se Rama gjeti të bëjë viktimizimin dhe sjell tani  vërdallë Shqipërinë dhe Italinë.

“Dokumentari u shfaq të dielën në RAI 3 dhe dukej se historia do të mbyllej të hënën. Vetë Rama u kthye në protagonist dhe u kap pas një fije bari, që RAI nuk vendosi përgjigjet e Engjëll Agaçit në dokumentar edhe pse vendosja e tyre nuk ndryshon asgjë. Rama gjeti të bëjë viktimizimin dhe sjell tani  vërdallë Shqipërinë dhe Italinë. Nëse do të shfaqej në Francë, apo në Britani kjo sjellje nuk do të ndodhte, por ndodh në Itali dhe Greqi se mediat edhe atje janë nën presionin e pushtetit. Në 6 maj gazetarët e RAI-t do të dalin në grevë ndaj presionit që bëhet nga pushteti.

Çdo gjë që ishte në atë dokumentar ndodh këtu prej vitesh, e kemi parë dhe jetuar gjithë këto vite”-tha gazetari Andi Tela.