TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Gazetari investigativ Ferdinand Dervishi ka komentuar arratisjen e të paraburgosurit Altin Ndoci nga spitali i Durrësit gjatë një vizite mjekësore disa ditë më parë, duke e cilësuar ngjarjen si një dështim serioz të shtetit dhe një operacion të mirëorganizuar nga krimi i organizuar.
Sipas Dervishit, përgjegjësia kryesore bie mbi institucionet shtetërore që kishin detyrimin ligjor për ruajtjen e të paraburgosurit. “Arratisja ishte e organizuar. Problemi është te shteti, i cili kishte përgjegjësinë për ta ruajtur dhe ka dështuar në çdo hap”, u shpreh gazetari.
Ai ngriti dyshime edhe mbi arsyet e dërgimit të Ndocit në spital, duke theksuar se, megjithëse u pretendua se ishte i sëmurë, ai u pa duke vrapuar “si një djalë i ri i shëndetshëm” në momentin e arratisjes.
Dervishi kritikoi ashpër procedurat e ndjekura nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, duke zbuluar se Ndoci ishte shoqëruar pa pranga. Sipas tij, momenti kyç i arratisjes ndodhi kur i paraburgosuri kërkoi të shkonte në tualet dhe u shoqërua vetëm nga një polic dhe një police.
“Një police nuk ka të njëjtën formë fizike për të përballuar një mashkull me atë staturë. Ai e tejkaloi lehtësisht situatën”, deklaroi Dervishi.
Gazetari theksoi se fakti që Ndoci arriti të largohej nga qendra e Durrësit dhe të zhdukej me një automjet të identifikuar ngre pikëpyetje serioze për nivelin e organizimit dhe për përfshirje të mundshme të strukturave policore. “Kjo ngjarje ngre dyshime të forta se kemi të bëjmë me një operacion të mirëorganizuar”, shtoi ai.
Dervishi e përshkroi Altin Ndocin si një vrasës me pagesë të grupit të Çopjave, të cilët, sipas tij, kanë ndërtuar pasuri të mëdha nga trafiku i kokainës në Europë, me vlera që shkojnë në miliarda euro. “Ata ishin të gatshëm të paguanin 2 milionë euro për të vrarë një person dhe për të hedhur në erë një pallat të tërë. Kjo është egërsia e krimit, është terroriste”, tha ai, duke shtuar se Ndoci konsiderohej një nga ekzekutorët më të vlerësuar të këtij grupi.
Sipas gazetarit, arratisja nuk mund të ishte financuar nga vetë Ndoci. “Ky person nuk kishte para. Duhej një fuqi e madhe monetare për një arratisje të tillë”, u shpreh ai, duke ngritur alarmin se lirimi i tij mund të lidhet me eliminime të reja kriminale. “Pse u lirua? Kush e ka radhën?”, përfundoi Dervishi.