AKTUALITET, 12 Shkurt 2026, 14:56

Alimehmeti: Ja pse PD mori pjesë në Tryezën e Dialogut Politik, jemi unifikuar! Duam zgjedhje të lira

Alimehmeti: Ja pse PD mori pjesë në Tryezën e Dialogut Politik,

Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti, shpjegoi arsyet dhe qëllimet pse selia blu iu bashkua tryezës në Forumin e Dialogut Politik të organizuar nga Ermal Hasimja.

Ish-kandidati për zgjedhjet e 11 majit u shpreh se opozita ka nevojë pas dialogut politik që të unifikojë qëndrimet e saj me qëllim zgjedhjet e lira të parakohshme. Alimehmeti pranoi se deri tani dialogu politik mes partive dhe faktorit opozitar nuk ka ekzistuar dhe ka qenë një periudhë jo e qetë për këtë kamp.

“Mirëpresim një dialog mes palëve që është i nevojshëm. Sepse vijmë nga një periudhë e gjatë kohore ku dialogu nuk ka qenë konstruktiv. Ndaj tani vijmë nga një dialog politik te ai konstruktiv. Ne e mbështesim forumin e tryezës për dialog politik, për shumë çështje. Nga mbështetja e drejtësisë, te zgjedhjet e lira. Dhe si arrihet kjo? Me përballje të vazhdueshme dhe jo vetëm me fjalime. Unë dhe Luçiano Boçi kemi qenë në tryezë si përfaqësues të PD-së”, shpjegoi ai.

Më tej Alimehmeti akuzoi mazhorancën për vjedhjen e zgjedhjeve të 11 majit, e faktuar sipas tij edhe në raportin e ODIHR. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se i grabiti 83 mandate, pasi edhe BE i është kthyer kundër dhe situata në Shqipëri mbetet kaotike.

“Çfarë zgjedhjesh të lira bëri Edi Rama, çfarë programi pati? E thotë edhe raporti i OSBE-ODIHR. As pensionet nuk u rritën dhe as pasaporta evropiane nuk u dha, që nga rasti i fondeve të IPARD, apo fondet e SASPAK të Ilir Beqjas, të gjitha këto ikën, i hoqi BE-ja. AKSHI më i fundit, pra BE i ka hequr këto dhe po merret me të tjera. Nuk janë 83 mandate të fituara, por të grabitura”, vijoi ish-kandidati për deputet.

Përfaqësuesi i PD nënvizoi se për këto rrethana, faktori opozitar tani po vjen drejt unifikimit dhe dialogut edhe nëpërmjet tryezave që po mbahen, siç ishte ajo më e fundit, ku dëgjohen të gjitha palët dhe arrihet në një qëllim të përbashkët.

“Vendi ka nevojë për vlera perëndimore, për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Për këto shkaqe ne kemi unifikuar edhe qëndrimet tona, që të bëhemi bashkë”, tha Alimehmeti.

Ai u shpreh se ishte një hap shumë i mirë që i shërbente qëllimit, duke vlerësuar edhe faktin se vëmendja kryesore mbetet edhe tek Reforma Zgjedhore dhe Kodi Elektoral. Ai vuri në dukje se në këto rrethana, kur ka edhe parti opozitare të papërfaqësuara në Parlament, “vëllai i madh duhet të kujdeset për vëllain e vogël”, duke iu referuar PD-së dhe subjekteve të tjera partiake.