AKTUALITET, 6 Shkurt 2025, 22:34

"Albin Kurti ka kundër opozitën, Serbinë, Grenellin, Edi Ramën, oligarkët..."/ Shkëlzen Gashi shpjegon zgjedhjet në Kosovë

"Albin Kurti ka kundër opozitën, Serbinë, Grenellin, Edi

Politologu dhe analisti Shkëlzen Gashi, në një lidhje direkte për emisionin Të Paekspozuarit në MCN TV, ka folur për zgjedhjet në Kosovë dhe sulmin e të dërguarit të Trump për misione speciale, Richard Grenell ndaj Albin Kurtit. 

Gashi deklaroi se Grenell ka përdorur një kërcënim imagjinar, njëlloj si në të shkuarën, duke ndërhyrë në zgjedhje dhe se përplasja e tij me Kurtin është personale dhe jo një përplasje e administratës Trump me Kurtin.  

"Grenell nuk është hera e parë që përdor dhe prodhon një kërcënim imagjinar. Ka ndodhur edhe në 2020, kur Grenell angazhoi djalin e Trump për të shkruar deklaratë në Twitter se SHBA do të tërheqë trupat në Kosovë.  Në atë kohë, Grenell e ka përdorur deklaratën e djalit të Trump si kërcënim, por kjo nuk ka qenë deklaratë e një zyrtari amerikan, por Grenell e ka përdorur si kërcënim. 

Një vit më vonë Parlamenti Europian ka miratuar një raport për fake news dhe disinformimin në Western Balkans dhe aty tregohet si shembull, se si një aktor i huaj ka prodhuar një kërcënim imagjinar për të rrëzuar një qeveri.

Kur Grenell ka dalë kundër Kurtit në 2020 dhe rrëzoi qeverinë, pas gjashtë muajsh kishte zgjedhje, përqindja e Kurtit u dyfishua. Qytetarët e Kosovës nuk janë më si në vitet 1990 apo 2000, kanë vetëdije më të lartë dhe janë të vetëdijshëm që SHBA janë aleatë dhe miq, por nuk do të thotë që duhet ti dëgjojmë edhe kur kanë kërkesa të papranueshme.

Nuk e besoj se është përplasje e administratës, por është personale e Grenell me Kurtin. Është Grenell ai që gjatë këtyre katër viteve në opozitë në SHBA, ka postuar me dhjetëra herë në rrjete sociale kundër kryeministrit Kurti, madje e ka ofenduar dukei i thënë fashist. Kryeministri Kurti është treguar shumë i matur, ka mbrojtur interesat e Kosovës dhe nuk është marrë me fyerjet dhe insinuatat e Grenell", tha Gashi. 

Lidhur me deklaratën e Grenell se në Kosovë nuk po vijnë investime amerikane si në Shqipëri dhe Serbi, analisti tha se ndoshta Grenell u referohet investimeve të kompanive të lidhura me të. Ai shtoi se në këto zgjedhje, Kurti ka kundër jo vetëm opozitën, por Grenellin, Serbinë, oligarkët, mediat, madje edhe Edi Ramën! 

"Ndoshta kompanitë e lidhura me të nuk janë shtrirë në Kosovë si në Serbi dhe Shqipëri, por kjo nuk do të thotë se nuk ka bashkëpunim mes Serbisë dhe Kosovës, në energji, siguri… Ai thotë Kurti nuk është partner i besuseshëm, ai nënkupton se nuk është i nënshkruar. Kurti nuk është nënshtrohet, kurse ata kanë qenë të nënshtruar sepse kanë qenë të korruptuar.

Ky postim vjen në kohën kur mbahen zgjedhjet. Pse po ndërhyn në procesin zgjedhor? Në këto zgjedhje, kemi në një anë Albin Kurtin, që është i vetëm dhe në anën tjetër të gjithë kundërshtarët e tij bashkë.

Kurti ka ndryshuar radikalisht gjendjen në veri të Kosovës duke zhbërë strukturat në Serbi, duke ndaluar zgjedhjet serbe në Kosovë, lejet e qarkullimit të veturave, e me rradhe. Përveç partive politike opozitare, Serbisë, Kurti ka edhe të gjithë mediat kundër. Çdo natë ka dhjetë televizione nacionale, që mblidhen 5-6 të ashtuquajtur analistë, që gënjëjnë dhe terrorizojnë opinionin kundër Albin Kurtit.

Kemi edhe OJQ-të, që janë kundër Kurtit dhe shumë e rëndësishme, kemi oligarkët. Të gjithë pa përjashtim janë kundër Kurtit dhe po investojnë shuma marramendëse te partitë opozitare për ta mposhtur Kurtin. Përveç të gjithë këtyre, është edhe një tjetër faktor i rëndësishëm, Shqipëria, Edi Rama është kundër Kurtit, por punon nën rrogoz, për rrëzimin e qeverisë së Kurtit. Edi Rama, është kryeministri më i mirë që ka patur Serbia! Kurti është i vetëm dhe i ka të gjithë kundër", tha ndër të tjera analisti.