AKTUALITET, 14 Janar 2025, 14:18

Akuzohen se vranë babanë e tyre në Shënvlash, nis seanca gjyqësore për fëmijët e Pëllumb Metës

Akuzohen se vranë babanë e tyre në Shënvlash, nis seanca

Në Gjykatën e Durrësit po mbahet seanca e radhës ndaj fëmijëve që akuzohen se vranë babanë e tyre, Pëllumb Metën, në ShënVlashit. Gjyqtarja Suela Xhani vendosi që seanca të mbahet me dyer të mbyllura.

Në dhjetor, Prokuroria e Durrësit përfundoi hetimet dhe çoi për gjykim pesë persona të akuzuar për përfshirjen e tyre në këtë krim të rëndë, mes të cilëve janë tre fëmijët e viktimës, nëna e tyre, dhe një person tjetër që ka ndihmuar në fshehjen e provave. Akuza për vrasje në bashkëpunim rëndon mbi vëlla e motor Hysen dhe Hygerta Meta. Hysen Meta, një nga të akuzuarit kryesorë, përballet me akuzat për “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, dhe “Fshehja dhe asgjësimi i kufomës”, e kryer në bashkëpunim.

Hygerta Meta, e cila ka marrë përsipër krimin, akuzohet gjithashtu për vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare, si dhe fshehje e asgjësim të kufomës. Ndërkaq vëllai i tyre Amarildo Meta, akuzohet për “Fshehjen dhe asgjësimin e kufomës”, të kryer në bashkëpunim, bazuar në nenin 303 të Kodit Penal.

Ndërkohë, Blerina Meta, bashkëshortja e viktimës, akuzohet për “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, në bazë të nenit 301 të Kodit Penal.

Në këtë çështje është përfshirë edhe Sajmon Bajramaj, pronari i automjetit të përdorur nga të pandehurit për fshehjen e provave. Ai akuzohet për “Mos kallëzim krimi”, pasi dyshohet se ka ndihmuar në largimin e makinës së viktimës në zonën e Sektor Rinia. Sipas prokurorisë, motivet e krimit lidhen me konflikte të thella brenda familjes. Pas vrasjes, të pandehurit dyshohet se kanë bashkëpunuar për fshehjen e trupit dhe provave. Ngjarja ka tronditur opinionin publik për shkak të natyrës së saj tragjike dhe përfshirjes së gjithë familjes në këtë akt kriminal.