AKTUALITET, 6 Janar 2025, 10:14

Akuza për korrupsion/ Berisha qëndron vetëm 5 minuta në SPAK, sulmon Altin Dumanin: Eshtë kryekrimineli elektoral!

Akuza për korrupsion/ Berisha qëndron vetëm 5 minuta në

Ish-kryeministri Sali Berisha u paraqit në SPAK në orën 10:00 duke zbatuar vendimin e Apelit të GJKKO-së që i caktoi masën e sigurisë detyrim paraqitjeje. Një grup militantësh ndodhen para SPAK për ta mbështetur.

Berisha është marrë i pandehur për çështjen e aferës së privatizimit të ish-kompleksit ‘Partizani’.

"Do të flas kur të dal' tha ai.

Pas 5 minutave kur qëndroi në SPAK, Berisha sulmoi kreun e SPAK: Altin Dumani është kryekrimineli elektoral

Paralelisht me paraqitjen e Berishës në GJKKO zhvillohet seanca paraprake për dosjen e aferës Partizani, ku gjyqtarja Davidhi pritet të vendosë kalimin apo jo për gjykim, që do ta bënte Berishën zyrtarin më të lartë të shtetit shqiptar në 34 vite demokraci, që del në një proces gjyqësor si i pandehur zyrtarisht për korrupsion.

Masa e sigurisë për Berishën u rikthye më 3 janar 2025 nga gjyqtari i Apelit të Posaçëm, Engert Pëllumbi. Kujtojmë që masa e parë detyrim paraqitjeje të dhënë më herët nga gjyqtarja Irena Gjoka, nuk u zbatua nga Berisha, gjë që detyroi SPAK të kërkonte ashpërsimin e masës në arrest në shtëpi”, duke përfunduar kështu për 11 muaj në arrest shtëpie, që nga 30 dhjetori 2023 deri në 27 nëntor 2024. 

Berisha është marrë i pandehur për dosjen ‘Partizani’, për të cilën SPAK e akuzon se me një sërë veprimesh i hapi rrugë privatizimit të ish kompleksit sportiv Partizani që u pasua me ndërtimin e 19 kullave, ku përfitues është dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, i pandehur gjithashtu.

Të pandehur në aferën Partizani janë edhe biznesmeni Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja orataku i Malltezit, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i 'Homeplan' dhe Andia Pustina, financiere që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan.