AKTUALITET, 5 Prill 2024, 16:10

Aktivisti i Lëvizja Bashkë: Bashkia e Tiranës, një fole korrupsioni. Veliaj të shkojë atje ku e ka vendin

Aktivisti i Lëvizja Bashkë: Bashkia e Tiranës, një fole

Aktivisti Klod Leka tha përmes një lidhje “Skype” me studion e MCN Tv se bashkia e Tiranës është një fole korrupsioni dhe se kryebashkiaku Veliaj është i lidhur drejtpërdrejtë me korrupsionin e drejtorëve të arrestuar.

Duke vijuar më tej, Leka theksoi se Veliaj duhet të shkojë në burg.

"Afera e drejtorëve të bashkisë na vërtetoi dyshimin se Bashkia e Tiranës është një fole e korrupsionit dhe kryebashkiaku është i lidhur drejtpërdrejtë me korrupsionin e drejtorëve. Kompania fiktive është formuar fill pas fitores së Veliajt, do të ishte e palogjikshme të dalësh dhe të thuash se ai nuk ka dijeni kur ka marrëdhënie të qëndrueshme me drejtorët e akuzuar për korrupsion aktiv. Korrupsionin e Veliaj e kemi parë tek inceneratorët, tek lejet në shkelje të ligjit që ka dhënë, tek mënyra si e ushtron ai aktivitetin e tij politik, prova të mëtejshme i takojnë drejtësisë. Kemi dyshime legjitime të bazuara në logjikë dhe fakte të tërthorta që sa vijnë e vërtetohen.

Ky është një problem i SPAK, shpresojmë të jetë duke intensifikuar hetimet rreth përfshirjes së Veliaj. Vjedhja e trashë, madje dhe perverse e drejtorëve nuk mund të lërë pa përfshirë dhe kryebashkiakun. Në një shtet normal edhe nëse do ishte një engjëll do të merrej në hetim nga SPAK për rolin e  tij. Vepër penale është dhe mosveprimi, ndjenja e kryetarit duarkryq përballë vjedhjes haptazi të buxhetit publik, ose 10% të buxhetit vjetor. Dje i kujtuam Veliajt, institucioneve dhe publikut duke shkarravitur murin dhe makinën luksoze që ai duhet të shkojë atje ku e ka vendin.

Brenda punonjësve të bashkisë ka pakënaqësi ndaj korrupsionit të eprorëve. Kanë shkuar në hotele, në vila që po përfliten haptazi brenda disa vitesh në tavolina", tha ai.