AKTUALITET, 31 Mars 2026, 10:37

Aksidenti/ Punëtorët po punonin poshtë furgonit në servis, mjeti shpërthen në flakë në Shkodër

Aksidenti/ Punëtorët po punonin poshtë furgonit në servis,

Flakët kanë përfshirë mbrëmjen e djeshme një furgon pranë një servisi automjetesh, i cili funksionon gjithashtu si gomisteri. Ngjarja ka ndodhur në Shkodër, në kilometrin e dytë të rrugës Shkodër-Hani i Hotit.

Sipas informacioneve paraprake, punonjësit kanë qenë duke punuar poshtë furgonit dhe duke kryer saldime, kur papritur mjeti ka marrë flakë, duke u djegur plotësisht.

Fatmirësisht, punonjësit dhe personat e tjerë që ndodheshin në vendngjarje kanë arritur të largohen në kohë, pa pësuar lëndime.

Menjëherë pas njoftimit në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të zjarrit.

Si pasojë e zjarrit, përveç furgonit, është djegur edhe një automjet tjetër që ndodhej pranë, ndërsa dëme materiale janë shkaktuar edhe në ambientet e servisit dhe gomisterisë.