TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Muri i ujëmbledhësit të hidrocentralit Sasaj në Bunec të Lukovës është çarë mesditën e sotme duke shkaktuar përmbytje në fshatrat Lukovë dhe Bunec.
Uji dhe balta ka shkaktuar bllokim për një kohë të rrugës nacionale Bunec -Piqeras e cila për një kohë ishte e kalueshme vetëm nga automjetet e rëndë. Ngelen ende të paqarta shkaqet e çarjes së murit rrethues, ndërkohë furnizimi me ujë i kanalit është ndërprerë nga diga në burimin e lumit Kalasë.
Uji ka hyrë në 2 biznese bar restorante në Bunec, ndërsa nga vërshimi i ujit dëme kanë pësuar edhe 10 biznese të tjera.
Ndërkohë Prefekti i Vlorës, Flamur Mamaj deklaroi se situata është nën kontroll.
“Sot, rreth orës 12:38, në Bunec, Lukovë, dyshohet se është çarë diga e hidrocentralit, duke krijuar rrezik për përmbytje. Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë dhe emergjencave civile, të cilat po punojnë për të siguruar evakuimin e çdo personi që mund të jetë në rrezik. Deri tani janë shkaktuar vetëm dëme materiale, ndërsa situata po monitorohet nga afër për të shmangur pasoja të tjera. Policia fton qytetarët që të shmangin lëvizjet në zonën e rrezikuar dhe të raportojnë menjëherë për çdo rast emergjence.”, tha Prefekti.
Hidrocentrali Sasaj është ndërtuar nga kompania ENERGO-SAS, e AGNA (ISH ANONIME KAKAVIJE) me aksionerë Aleksandër Naçi, 5%, Kosta Sotiri 32.5%. Vasil Naçi 32.5% dhe Kristo Naçi 30%
Punimet për HEC-in Sasaj kishin nisur 4 vite më parë, ndërsa vitin e kaluar banorët protestuan kundër ndërtimit të këtij HEC pasi u kishte dëmtuar rrugën. Hec Sasaj furnizohet me ujë nga burimi i lumit Kalasë.