AKTUALITET, 15 Prill 2024, 22:42

Adriatik Lapaj: E shtrij dorën e bashkëpunimit me këdo që përfaqëson njerëz që unë i perceptoj të pakorruptuar

Adriatik Lapaj: E shtrij dorën e bashkëpunimit me këdo që

Adriatik Lapaj, përfaqësues i lëvizjes ‘Shqipëria Bëhet”, deklaroi në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV se do t’ia shtrijë dorën e bashkëpunimit me këdo që përfaqëson njerëz që ai i percepton të pakorruptuar për të bërë një bashkim të madh për t’iu imponuar sistemit 30-vjeçar kleptokratik.

"Në Shqipëri ka dy palë: të korruptuarit përballë popullit të marrë peng nga ana tjetër. Ata që duan ta mbajnë peng sistemin përmes procedurës përballë atyre që kërkojnë demokratizimin, janë ata që e kanë vjedhur Shqipërinë përballë atyre që kërkojnë të drejtën për të ndryshuar. Shqipëria është në vdekje klinike dhe çdo diskutim ideologjik nuk ka vlerë. Unë me Arlindin sot kur vendi ka nevojë për ta çarë dhe rrëzuar sistemin e kleptokracisë dhe makutërisë që ka bërë kërdinë në këto 30 vite, ndarja nuk duhet të jetë ideologjike, duhet të jetë bashkim parimor.

Ne jemi në një fazë ku ka vetëm dy palë, të korruptuarit përballë popullit që kërkon të çlirohet nga korrupsioni.

Kur vendosa që futem në jetën publike e lashë egon në shtëpi dhe tashmë po bëj detyrën ndaj shtëpisë. Nëse nisim të diskutojmë se kush është më i miri, apo kush ka idetë më të mira politike nuk i shërbejmë vendit dhe momentit historik, por të shkuarës. E shtrij dorën e bashkëpunimit me këdo që përfaqëson njerëz që unë i perceptoj të pakorruptuar  për të bërë një bashkim të madh për t’iu imponuar të vjetrës. Pastaj, nëse dikush apo disa nuk pranojnë rrugëtimin për të ndryshuar Shqipërinë, ekipi ynë nuk ndalet. Kjo është një betejë për të bërë një bashkim për të çarë sistemin e kleptokracisë që ka marrë peng vendin. Nëse nuk e kuptojmë kështu nuk jemi në rregull”.