AKTUALITET, 25 Nëntor 2024, 23:51

Abilekaj-Berishës: Thoni me Ramën nuk ka zgjedhje dhe pastaj ftoni diasporën të marrë pjesë!

Abilekaj-Berishës: Thoni me Ramën nuk ka zgjedhje dhe pastaj ftoni

Gazetari Enton Abilekaj u shfaq kritik në emisionin “Të Paekspozuarit’ në MCN Tv, ndaj strategjisë së PD-së së drejtuar nga Sali Berisha. Ai e pyeti kryetarin e PD-së për sulme ndaj SPAK-ut dhe deklaratat se me Ramën nuk ka zgjedhje, por nga ana tjetër fton diasporën në votime, duke çorientuar publikun, ndërsa Berisha u përgjigj se me Ramën nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme, por PD do të bëjë çdo lloj përpjekje për realizimin e objektivit të qeverisë teknike.

Pjesë nga biseda

Enton Abilekaj: Ju sulmoni SPAK dhe çoni dosje në SPAK. Thoni me Ramën nuk ka zgjedhje dhe ftoni diasporën të marrë pjesë në zgjedhje që të thellohet hendeku i manipulimit. Thoni mosbindje civile dhe bëni një protestë në muaj. A janë këto çorientuese?

Sali Berisha: Në pamje të parë është kështu, por nga ana tjetër nuk jemi për shoqëri para-shtetërore. U kemi deklaruar shqiptarëve që kjo është një narkodiktaturë. Kemi dërguar të paktën 60-70 dosje. Me bindjen më të plotë se do të hanë vetëm pluhur, dosjet e armiqve nuk hapen. Kjo nuk na pengon ne, të bëjmë detyrimin ndaj qytetarëve. Edhe mund të mos dërgohen.

Enton Abilekaj: Ajo dosja 5D u hap, Këllici ishte në SPAK dhe tha faleminderit për kontributin.

Sali Berisha: Nuk jemi për rend parashtetëror. Sa i përket Ramës, me Ramën nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme me Edi Ramën. Do të bëjmë çdo lloj përpjekje për realizimin e objektivit të qeverisë teknike.

Ylli Rakipi: Nëse nuk e bën Rama këtë?

Sali Berisha: Disa rezultate janë arritur deri tani. Ka rëndësi mbështetja ndërkombëtare. Kjo është një betejë në vazhdim. Nuk ka ndonjë mjet tjetër.

Ylli Rakipi: Qeveri teknike ai nuk bën, po fitoi, do t’ia njihni zgjedhjet?

Sali Berisha: Qeveri teknike nuk bën sepse nuk do, por beteja jonë është e pandërprerë.