TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Deklarata e fundit e kryeministrit Rama, kur u pyet për aferën në Bashkinë e Tiranës dhe marrëdhënien e tij me Veliajn dhe u përgjigj duke thënë "SPAK t'i nxjerrë ujin e zi korrupsionit", u interpretua gjerësisht si një "lëshim" që i mund të jetë duke i bërë Rama, kryebashkiakut.
Në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, dy analistët Andi Bushati dhe Neritan Sejamini debatuan lidhur me këtë çështje. Sejamini mendon se deklaratat e Ramës, janë të qëllimshme dhe synojnë të dobësojnë Veliajn dhe të krijojnë në publik përshtypjen se ai nuk e ka më mbështetjen e kryeministrit dhe se ky i fundit po e "lëshon".
Ndërsa Andi Bushati, mendon se Rama nuk ka ndërmend ta dorëzojë Veliajn te SPAK-u, për shkak se i shërben për zgjedhjet, për kapjen e mediave dhe punë të tjera.
Debati:
Andi Bushati: A e ka lëshuar Rama, Veliajn? Vazhdoj të kem dyshime, sepse nga njëra anë janë batutat që Rama mund të bëjë dhe një anë është qëndrimi i rakoduar me Veliajn, që Rama mbajti pas arrestimit të pesë drejtorëve. Ai e mbrojti dhe tha nuk i heq presje alibive të tij. Deri tani nuk e shet Veliajn. Në politikë, nuk ka miqësi dhe dashuri të përjetshme, gjithçka mund të parashikohet. Sot mendoj se Rama e mbështet Veliajn dhe ka një arsye politike. E mbështet sepse Veliaj ka influencë në drejtësi, ka grup të vetin parlamentar dhe kontrollon si askush median. Të treja këto i ka fituar falë pushtetit dhe lejes që i ka dhënë Rama. Mos flasim për buxhetin e madh okult dhe faktit financiar. Të treja këto do ti duhen për fushatën. Rama të hedh vetëm pasi të shtrydh si limon. Sot është një limon që ende i duhet Ramës, për ta përdorur. Jemi në pikën që Rama nuk e ka shitur Veliajn, edhe pse shumë njerëz e shpresojnë që kjo të ndodhë.
Neritan Sejamini: Unë e mendoj ndryshe. Zoti Rama mori një pyetje, që e ka ditur që përpara, në mos e ka thënë vetë ta pyesi.
Ai kishte 1000 mënyra për t’u përgjigjur por zgjodhi mënyrën më të keqe për zotin Veliaj, mënyrën më të ashpër. Drejtoi gishtin dhe tha me një temë të caktuar, që SPAK të bëjë punën. Pse e ka bërë këtë? Ose po e mbron te SPAK dhe në publik do të krijojë idenë, që nuk po e mbron, ose Rama është indiferent se ç'bën SPAK me Veliajn. Por kjo e dëmton Veliajn, edhe me median edhe në PS edhe me biznesmenët, sepse e interpretojnë që Rama e ka lëshuar Veliajn. Pse Rama do të donte ta dobësonte Veliajn? Pse duhet ti fryjë këtij zjarri, nëse do ta mbrojë? Shprehje dhe thënie të tilla, janë të zgjedhura dhe e dëmtojnë zotin Veliaj në imazhin publik.
Andi Bushati: Rama, nëse do të ishte neutral me Veliajn, nuk rakordonte qëndrimet e Veliajt, që mua njësoj si ty më kanë vjedhur pas shpine, ty të vodhi pas shpine Ahmetaj, mua më vodhën drejtorët. Pra, Rama në një moment kruçial, tha shprehimisht, nuk i heq asnjë presje alibive të Veliajt. Pra, është qëndrimi politik i rakorduar dhe menduar. Pastaj, nuk mund të shesësh njeri, që aleatin më të ngushtë, Endri Fugën, ia mban në paradhomë. Janë supozime sipas qejfit. Kur dikush distancohet, të distancon me gjithë grup. Rama dhe Veliaj janë një. Nuk i kontrollon shumicën e mediave vetë, por nëpërmjet Erion Veliajt. Çantat nuk i çon Rama nëpër televizione. Janë grup me interesa të përbashkëta. Natyrisht, Rama për çdo aksident, lë edhe një shteg hapur, bën edhe deklaratë sikur nuk dihet se çfarë mund të ndodhë. Rama e ka tallur edhe publikisht dhe ia ka parathënë fundin, por mendoj se bën llogarinë se Veliaj akoma i duhet.
Neritan Sejamini: Pushteti funksionon ndryshe. Pushteti në Shqipëri është vertikal, pra buron nga një pikë. Ideja që Veliaj ka ndikim në drejtësi, grup parlamentar, etj, është e pavërtetë, sepse sistemi nuk e lejon. Grupin e Veliajt në Kuvend, Rama e ka një sekond, e ardhmja e tyre varet nga Rama. Pronarët e mediave nuk e kanë frikë Veliajn, por kanë frikë Ramën. Veliaj është sekser ose sekretar. Pushteti i Veliaj edhe te mediat buron nga Rama dhe afërsia me Ramën. Rama e shkrin po të dojë për 24 orë. Sistemet si Shqipëria, janë vertikal, burojnë nga një njeri. Problemi i sistemeve është i tillë, kur dikush mendon se nuk e ka mirë me shefin. E di kur mbaron karriera politike? Kur njerëzit nuk e kanë mirë me shefin dhe kur njerëzit perceptojnë sikur nuk e ka mirë me shefin. Rama e bëri këtë, krijoi perceptimin në publik se Veliaj nuk e ka mirë me shefin.
Andi Bushati: Jam dakord, me atë që thotë Neritani. Por, padyshim që këtu pushteti buron nga njëshi, por në pushtetin e njëshit, Veliaj ka pushtet të madh financiar. Njeriu nuk lë ti ikë apo asgjësohet banka.
Neritan Sejamini: Rama po tregon indiferencë dhe po e zbeh pushtetin e Veliajt. Kush e jep lejen për kulla, Veliaj apo Rama? Rama. Çfarë bën Veliaj? Mban thesin? Po ky nuk është thesi i Veliajt por i Ramës.
Andi Bushat: Rama ka patur shumë zëdhënësa me pushtet financiar. Të gjithë kanë bërë lobingun e vetes së vet. Veliaj është i vetmi që nuk ka vetëm ambicie personale, por korrupton në emër të një pushteti më të madh. Pa i marrë këtë nuk e godet, sepse godet investimin e vet.
Neritan Sejamini: Këto lloj pushtetesh vjen moment që krijojnë grupe armiqësore. Nëse problemet e Ramës me mediat italiane dhe presionin për korrupsionin forcohen, a nuk do të ishte Veliaj personi i duhur që duhet ti dorëzohet SPAK? A nuk duhet Ramës një ekip i paprekshëm ndaj korrupsionit?
Andi Bushati: Me arrogancën e të korruptuarit do të fitojë zgjedhje, përmes dhunës, pra ju vij me të korruptuar, ju marr votat dhe ju mbyllni gojën.
Neritan Sejamini: Mendoj se Rama do ta rishpikë sërish veten dhe PS-në me njerëz të rinj, modern, për Shqipërinë 2030.